Ndarja nga jeta e profesorit Riza Hasa u prit me hidhërim nga kolegët e tij. Profesori ishte një figurë e dashur në fushën akademike dhe një figurë e njohur në fushën e arkeologjisë në të cilën ai me veprimtaritë e tij e ndihmoi në pasurimin e historisë Shqiptare.
Këto janë disa nga komentet që kujtojnë jetën e Riza Hasës.
“Prof. Riza Hasa ishte arkeologu i parë i terrenit që kam njohur. Në këtë universitet them se ka qenë i vetmi. Zbulimi ishte pasioni i tij më i madh. Duart e tij që mbanin me aq kujdes gjetjet e ekspeditave të tij nuk i harroj. “Shiko këtu këtë formë”, dhe e rrotullonte artefaktin me kujdes, e lëmonte, i shkëlqenin sytë.
Argjila, gurë, copa kolone, vegla të ndryshkura, një armë e vjetër e ndryshkur, dhe libra, libra, libra plot shënime të vetat. Përqark herë mjegulla e cigareve, herë aroma e fortë që linin pas: të vetmet që mund të hynin në zyrën e tij kur studionte. Disa prej atyre gjetjeve të tij janë ende në kabinetin e tij, tonin tani, si gjurmët e fundit të një ëndrre që s’e realizoi dot: një muze arkeologjie me gjetjet e tij, të prof.Bertit dhe të studentëve të tij.
Ishte pasionant. Puliste njërin sy dhe tundte pak kokën majtas-djathtas kur të thoshte atë që kishte zbuluar nga leximet, të cilat pohonin idetë e tij, që s’kishte kohë t’i shkruante. Kurse zbulimet e terrenit na i prezantonte me gëzim fëminor. Të gjithëve atyre që e takonin. Dhe po aq bëhej zemërak kur dikush nxirrte në bisedë ide të tjera për historinë e shqiptarëve. Më kujtohet se me javë të tëra nuk ishte i qetë, turfullonte, derisa shkroi një artikull për librin e Oliver Schmitt-it për Skënderbeun.
Lamtumirë, mik dhe profesor i dashur”– Teuta Toska
“Respektet dhe nderimet më të larta për profesorin Riza Hasa, arkeologun aq pasionant që nuk pushoi së rrezatuari kulturë dhe dituri në tërë qënien dhe përditshmërinë e tij.”– Hektor Ciftja
“Ne emer te Departamentit te Historise dhe Gjeografise i shprehim ngushellimet tona Familjes Hasa dhe te afermve per humbjen e njeriut te tyre te shtrenjte!
I paharruar do mbetesh per ne perjete Profesori, miku dhe kolegu yne i nderuar Riza Hasa!”-Rudina Mita
“Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë, profesor Riza Hasa. Njeri i thjeshtë, por erudit dhe arkeolog i spikatur, ikjen tënde do ta ndjejë Elbasani dhe e gjithë Shqipëria…!”– Marin Haxhimihali
“Ike shpejt o shoku im i mire, o miku i te gjitheve, o profesori brilant, ishumedituri e gojeembeli si ti! Do te na mungosh shume. U prehsh ne paqe te perjetshme o miku im i mire!”– Roland Gjini