Meta i drejton 11 pyetje institucioneve të drejtësisë: Pse u larguan personat e përfshirë,kur Policia ishte aty?

0

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar sërish në lidhje me vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në Elbasan, ku kërkon zbardhjen dhe vënien para drejtësisë autorëve.

Meta ka mbajtur një qëndrim për vrasjen e Pjerin Xhuvanit dy ditë më parë në Elbasan, që dyshohet për motive politike.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Meta i drejton 11 pyetje ndaj disa institucioneve shqiptare, ndaj SPAK, Prokurosisë dhe policisë që të veprojnë dhe të ndëshkojnë çdokënd që ka shkelur ligjin.

 

Reagimi i plotë:

Kam ndjekur me shumë vëmendje, veprimet dhe reagimin e organeve ligjzbatuese për hetimin e ngjarjes tragjike, që ndodhi dy ditë më parë në Elbasan dhe që meriton të zbardhet urgjentisht, objektivisht dhe jashtë ndikimeve politike.

Janë disa pyetje, që kërkojnë përgjigje publike dhe të plota nga institucionet ligjzbatuese:

– A janë të përfshirë në këtë ngjarje, persona me precedentë penalë? Nëse po, cilët janë emrat e tyre si autorë të dyshuar për shkaktimin e saj? Përse Policia e Shtetit, nuk ka kryer ndalimin dhe shoqërimin e tyre?

– A janë këta persona të përfshirë në këtë ngjarje, të njëjtët që shoqëronin Kryeministrin më 14 mars, “Ditën e Verës”, dhe që ushtruan dhunë ndaj mbështetësve të opozitës?

– A ka marrë organi i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit, dëshminë e oficerëve të lartë dhe punonjësve të Policisë, që kanë qenë të pranishëm në ngjarje?

– Përse punonjësit e Policisë të pranishëm në ngjarje nuk kanë reaguar, për të neutralizuar përplasjen me armë dhe ndaluar të gjithë personat e përfshirë?

– Pse u lejua largimi i personave të përfshirë nga vendi i krimit kur Policia ishte njoftuar dhe ishte aty?

– A ka qenë i mbuluar ambjenti publik apo ambjentet private me kamera të sigurisë? Nëse po, a është bërë kqyrja dhe sekuestrimi i menjëhershëm i materialit filmik në cilësinë e provës?

– Sa kohë u është dashur organeve të zbatimit të ligjit të mbledhin këto materiale filmike?

– Nëse ka patur zvarritje, cilët janë përgjegjësit? Mos u është lënë kohë për të fshirë pamjet?

– Vonesa të tilla, a janë tregues i mosveprimit me dashje nga ana e strukturave të veçanta brenda Policisë së Shtetit, për t`i lënë kohë personave përgjegjës të zhdukin çdo provë që bën të mundur zbardhjen e dinamikës së vërtetë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në këtë konflikt tragjik?

– A është Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në konflikt interesi, për kryerjen e këtyre hetimeve?

– A duhet Prokuroria e Posaçme (SPAK), të fillojë hetimet, pasi në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë edhe funksionarë të lartë të shtetit dhe deputetë?

Zoti Prokuror i Përgjithshëm, Zoti Drejtues i Prokurorisë SPAK, Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Në Republikën e Shqipërisë, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe duhet të japin llogari përpara tij!

Ndaj, me shumë përgjegjshmëri, ju kërkoj:

Të veproni menjëherë për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në të!

Kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në këtë proces zgjedhor.

Çdo zvarritje, mosveprim, apo dëmtim i provave për këtë ngjarje, frymëzon më shumë elementët kriminalë në cenimin e procesit zgjedhor.

Vota e lirë dhe e ndershme dhe legjitimiteti i zgjedhjeve të 25 prillit nuk duhet të rrezikohet më tej nga këto fenomene!

Çdokush që ka shkelur ligjin, duhet të ndëshkohet tani!

Ju keni përgjegjësinë e plotë përpara popullit dhe ligjit për ta realizuar atë tani!e

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu