Presidenti, Ilir Meta, ka reaguar ashpër lidhur me skandalin e djegies së tonelata mbeturinash mes Spillesë dhe Plazhit të Gjeneralit.
Në një reagim në facebook, Meta shkruan se është e papranueshme dhe e dënueshme ligjërisht situata e rëndë mjedisore, në prag emergjence, e shkaktuar nga mbeturinat në qendrat urbane dhe përgjatë bregdetit të Adriatikut, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.
Kreu i Shtetit thekson se ky krim mjedisor, me pasoja të rënda për shëndetin e banorëve dhe të turistëve, për florën e faunën dhe që dëmton imazhin e Shqipërisë, meriton ndërgjegjësim dhe reagim të menjëhershëm efektiv të pushtetit vendor dhe të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit, si dhe ndëshkim nga drejtësia.