“Sot në Shqipëri askush nuk është më i sigurt”.
Kështu shprehet deputetja e ardhshme e Kuvendit të Shqipërisë në radhët e PD, Ina Zhupa.
Alarmi i saj lidhet me ngjarjen që ndodhi sot në Sarandë, ku 39-vjeçari Marjel Mejdi me profesion avokat, u dhunua barbarisht me sende të forta e shkopa bejsbolli sapo doli nga lokali ku po pinte kafe.
“Aktivist i PD dhe një qytetar model”, thotë Zhupa, teksa i bën thirrje policisë që të hetojë ngjarjen dhe të zbulojë autorët, që të mund të vihen sa më shpejt para drejtësisë.
Mirëpo pesimiste është PD, pasi pretendon se sot drejtësia është në duart e më të fortit.
Reagimi i Ina Zhupës
Sot në Shqipëri askush nuk është më i sigurt.
Në mes të ditës, në mes të qytetit turistik të Sarandës, Marjel Mejdi, aktivist i PD, qytetar model nga fisi Mejdi eshte goditur barbarisht nga persona te panjohur.
I bëj thirrje autoriteteve policore të hetojnë pa humbur kohë ngjarjen dhe të vënë para drejtësisë autorët për të marr dënimin e merituar.
Vendi po bëhet çdo ditë e me i pasigurt. Qeveria sic po dëshmohet gjithnjë e me shumë është në shërbim të krimit dhe policia garante e tij. Drejtesia është në duart e më të fortit, me të pasurit e më te pushtetshmit.
Qytetari është viktima e regjimit Rama- Doshi!