Mijëra protestues kundërshtojnë vendimin për abortin. Klinikat fillojnë të mbyllen

0

SHBA- Pas vendimit të Gjykatës në SHBA për të ndaluar abortin, mijëra protestues janë mbledhur përpara Kapitolit, por edhe në qytete të tjera të Amerikës, për të kundërshtuar vendimin. Ndaj tyre është përdorur gaz lotsjellës për t”u shpërndarë. Kjo masë u mor nga autoritetet pasi protestuesit goditën me gurë xhamat e ndërtesës. Sipas BBC, në Phoenix, Arizona, policia hodhi gaz lotsjellës ndërsa në Los Anxhelos, protestuesit bllokuan për pak kohë trafikun në një autostradë.

Protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditën në vijim derisa gjykata të anulojë vendimin. Klinikat në të paktën tetë shtete të tjera në SHBA si Alabama , Arizona, Arkansas, Kentucky, Missouri, Dakota e Jugut, Wisconsin dhe Virxhinia Perëndimore kanë ndaluar kryerjen e abortit pas vendimit.

Pas vendimit të marrë, klinikat kanë filluar të mbyllen në disa shtete amerikane. Rreth gjysma e shteteve pritet të vendosin kufizime ose ndalime të reja pasi gjykata anuloi vendimin e ligjit 50-vjeçar “Roe v wade” për abortin.

Ligji i Jutës, i cili hyri në fuqi pasi Roe v wade u përmbys, i bën abortet të paligjshme, përveç rasteve të përdhunimit ose incestit, ose kur nëna do të përballej me rrezik serioz për jetën ose shëndetin e saj.

Presidenti Joe Biden e përshkroi vendimin e gjykatës “një gabim tragjik”. Biden ka kërkuar që Sekretari i Shëndetësisë të sigurojë që gratë të mund të marrin pilula aborti dhe ilaçe të tjera të miratuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Këtë e ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë përmes një shënimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu