Motra e Saimir Sulës thirrje Ramës: Bëtë drejtësi për dy turistë që trembi Mihal Kokëdhima, tim vëllai i shkulën zemrën, pse heshtni

0

TIRANË- Majlinda Sula, motra e Saimir Sulës, të cilit i hoqën zemrën në një spital në Barcelonë dhe e sollën në Shqipëri ka krahasuar historinë e saj me atë të përplasjes së Mihal Kokëdhimës më turistët spanjollë. Teksa proteston për drejtësi për të vëllanë, Majlinda thotë se në atë rast, kryeministri Edi Rama bëri drejtësi, burgosi Kokëdhimën dhe i shembi restorantin, ndërsa për vëllanë e saj, po hesht. Ajo shton se është e bindur që të vëllanë ia kanë vrarë në spitalin e Barcelonës.

Pjesë nga prononcimi i saj:

Zoti kryeministër, ky është një artikull në gazetën më të madhe spanjolle. Është El Mundo, në gusht ka shkruar për Mihal Kokëdhimën. Kokëdhima trembi y turistë spanjollë dhe shteti u ngrit në këmbë, u ngrit dhe kërkoi drejtësi. Ju nuk vonuat as tre ditë dhe bëtë çfarë ju kërkuan, Ju Mihalin e burgosët, i shembët restorantin dhe e mbyllët për tre vite në burg. Saimiri erdhi pa zemër zoti Rama, i shkulën zemrën dhe ju heshtni. Ju heshtni dhe kjo gjë më lë të kuptoj shumë gjëra.

Asnjë zyrtar shqiptar nuk ka shkuar në Spanjë ku i riu Sula humbi jetën në mënyrë misterioze në një spital të Barcelonës ku shkoi për një temperaturë të lehtë. Madje askush nuk e ngriti zërin kur trupi i të ndjerit mbërriti në Shqipëri me zemër të shkulur. Autoritetet spanjolle dhe ato shqiptare nuk kanë dhënë asnjë konkluzion të ngjarjes makabre. Në 8 Maj 2020 Saimiri shkoi në spital për një test Covidi, pasi ishte me temperaturë. Testi rezultoi negativ. Majlinda, motra e tij, priste që Saimiri të dilte nga spitali, por pas një telefonate me të, nuk e pa më të gjallë vëllain. Spitali konfirmoi vdekjen e 31-vjeçarit rreth mesditës së 9 Majit 2020. Fillimisht nga spitali u tha, që Saimir Sula është axhituar dhe gjatë momentit të neutralizimit nga rojet e spitalit, i ka pushuar zemra. Por e motra thotë se Saimiri kishte shenja dhune në trup. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Barcelonë nuk ka një konkluzion të saktë për shkaqet e vdekjes. Në telefonatën e fundit, e motra thotë se Saimiri i ka thënë: Majlinda po më vrasin!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu