Në kuadër të shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti i Kulturës Mesdhetare për vitin 2025, u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të këtij sezoni: Festivali “Mozaik Mesdhetar”, një përpjekje për të lidhur shpirtërisht dhe artistikisht vendet që lag Mesdheu përmes këngës, valles dhe pasurisë kulturore të trashëgimisë popullore.
Ky festival u zhvillua nën kujdesin e ALFORUM dhe me mbështetjen financiare të Fondacionit Anna Lindh me qendër në Egjipt. Krenari për Shqipërinë, mes projekteve të shumta nga 43 vende anëtare të rajonit mesdhetar, Shoqata “Progresi për të Gjithë” nga Librazhdi, me drejtuesin e saj të palodhur Haxhi Balliu, u përzgjodh si fituese dhe organizatore e këtij aktiviteti të rëndësishëm.
Ndërsa në fillim parashikohej që festivali të kishte 5-6 grupe dhe rreth 100 artistë pjesëmarrës, interesi dhe përfshirja tejkaluan çdo pritshmëri: në Tiranë mbërritën 12 grupe folklorike dhe afro 200 artistë, që krijuan një mozaik të gjallë ngjyrash, ritmesh dhe kulturas
Në mesin e grupeve pjesëmarrëse, Qendra Kulturore e Fëmijëve Gramsh, nën drejtimin e Valentina Senjës, dha një paraqitje të shkëlqyer, ku veçanërisht grupi i orkestrinave ra në sy për profesionalizmin dhe energjinë artistike, duke u vlerësuar me çmimin e parë në këtë kategori.
Një tjetër moment i veçantë ishte prania e moderatores së festivalit, Inva Koçoli, një emër i njohur në aktivitetet kulturore dhe valltare e talentuar e Ansamblit të Librazhdit. Ajo solli një atmosferë të ngrohtë, me prezantim dinjitoz e të rrjedhshëm, që krijoi lidhje të natyrshme mes publikut dhe artistëve.
Organizatori Haxhi Balliu , dhe Ilir Selba përveç përkushtimit të tyre të zakonshëm për të mbajtur gjallë dhe për ta ngritur folklorin shqiptar në nivele të larta, shprehen mirënjohje të veçantë për Bashkinë e Tiranës, në veçanti për z. Shazo Manja , si dhe për gjithë stafin e këtij institucioni.
Ata jo vetëm që mundësuan akomodimin dhe mikpritjen e mbi 200 pjesëmarrësve të festivalit, por u përkushtuan me shpirt duke qëndruar në detyrë edhe jashtë orarit zyrtar për të plotësuar çdo nevojë të artistëve dhe mysafirëve.
Nën drejtimin e mjeshtrit të mirënjohur Ilir Selba, në bashkëpunim me drejtorin e festivalit ndërkombëtar z. Haxhi Balliu, festivali u organizua në mënyrë të shkëlqyer, duke sjellë një atmosferë festive dhe emocione të forta për publikun që mbushi sheshin çdo natë.
Skena u ndez nga energjia e grupeve të valltarëve e këngëtarëve, ku veçuan performancat plot temperament e stil të Ansamblit Fushë Kosovë dhe Ansamblit Benda nga Tirana, ky i fundit nën drejtimin e artistit të palodhur z. Ferit Hoxha. Valltarët e rinj e të talentuar të këtyre ansambleve sollën lëvizje dinamike, koreografi të pasura dhe një prezencë skenike që fitoi zemrat e publikut.
Përgjatë festivalit, një jurí profesionale me përbërje dinjitoze përzgjodhi më të mirët mes të mirëve. Kryetar i jurisë ishte Prof. Ermir Dizdari, Mjeshtër i Madh, ndërsa anëtarë ishin z. Baftjar Çera dhe z. Agim Kastrati, personalitete të njohura në fushën e kulturës dhe artit popullor.
Në mbrëmjen finale, u ndanë çmimet kryesore, duke vlerësuar jo vetëm performancën artistike, por edhe ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë sonë:
Çmimi Këngëtarja më e mirë, Ansambli “Tingujt e Vendëlindjes” Kaçanik
Çmimi Koreografia më e mirë, Ansambli “Minatori” Kishnicë
Çmimi Këngëtari më i mirë, Ansambli “Valët e Liqenit” Strugë
Çmimi Kostumografia më e mirë, Ansambli “Visaret e Krrabës” me president z. Ilir Selba.
Çmimi Vallja Dyshe më e mirë, Ansambli “Shqipet e Drenicës” Drenas, Kosovë.
Çmimi Orkestra më e mirë, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Gramsh
Çmimi Special i Festivalit, Ansambli “Tradita Folklorike” Kozare, Kuçovë
Çmimi Paraqitja më e mirë skenike, Ansambli “Zëri i Kosovës” Fushë Kosovë
Çmimi i Publikut, Ansambli “Haziz Ndreu” Tiranë
Çmimi Valltarja më e mirë, Ansambli “Shqipet e Drenicës” Drenas
Çmimi Valltari më i mirë, Adriatik Lika, Ansambli “Benda”, Tiranë
Mjeshtëria që bashkon popujt
Festivali “Ngjyrat Mesdhetare” nuk ishte thjesht një paradë kostumesh apo një koncert valles, por një dëshmi e gjallë e fuqisë së trashëgimisë kulturore si urë bashkimi ndërkombëtar. Sheshi Skënderbej u mbush me gjuhë të ndryshme, por të gjithë kuptuan një gjë të përbashkët: ritmin e traditës, bukurinë e së vjetrës që rron në të sotmen, dhe krenarinë e të qenit pjesë e një kulture të gjallë.
Ilir Selba, mjeshtër i nderuar për kontributin e tij të palodhur në promovimin e kulturës shqiptare brenda dhe jashtë vendit, deklaroi:
“Ky festival është një testament se folklori nuk i përket vetëm të kaluarës, ai është gjallëria e shpirtit popullor që na mban të lidhur me rrënjët.”
Në përfundim, mes duartrokitjesh të gjata dhe buzëqeshjeve të pafundme, një gjë mbeti e sigurt:kultura jonë është e gjallë, krenare dhe gjithmonë gati të vallëzojë në sheshet më të mëdha të botës.
Dhe Librazhdi….
Ndjehem mirë në çdo aktivitet artistik ku kënga, vallja dhe tradita marrin jetë përmes tingujve, hapave dhe ngjyrave që burojnë nga rrënjët tona. Çdo takim me artin popullor është një udhëtim i thellë shpirtëror, ku gjurmoj me pasion këngën dhe vallen, dhe ato natyrshëm bëhen pjesë e shkrimeve të mia, si kujtime që duan të mbeten përjetë.
Një ndjesi e veçantë më lidh me kostumin tradicional të Çermenikës në Librazhd, i cili nuk është thjesht veshje, por një vepër arti e gjallë. Ngjyrat e tij flasin me gjuhën e tokës sonë, e mjeshtëria e qëndisjes flet për dashurinë dhe durimin e grave dhe vajzave librazhdase, që e kanë trashëguar brez pas brezi këtë pasuri shpirtërore. Është një krenari e veçantë të shohësh kostumin tradicional të Çermenikës, të qëndisur me dashuri dhe mjeshtëri nga mësuesja Zylfije Kullafi, të shpaloset në studion e Televizionit Shqiptar nga artistja Gëzime Gezime Sinani . Ky moment nuk është vetëm një paraqitje estetike, por një homazh ndaj trashëgimisë sonë kulturore dhe punës së palodhur të grave çermenikase që, me fijen e gjilpërës, kanë mbajtur gjallë shpirtin e traditës ndër breza.
Uroj me gjithë zemër që ky kostum, bashkë me këngët dhe vallet e Librazhdit, ansambli QKF, Librazhdi dhe Prrenjasi, të marrin vendin që meritojnë në skenat kombëtare e ndërkombëtare. Me përkushtimin e njerëzve si Haxhi Balliu, që i kanë qëndruar besnik traditës dhe artit popullor, jam i bindur se kjo pasuri do të shkëlqejë edhe përtej kufijve tanë, duke treguar botës një copëz të shpirtit shqiptar.