Ndahet nga jeta Skënder Lumshi figurë e shquar e kulturës në Gramsh

0

Lamtumirë Skënder Lumshi figurë e shquar e kulturës në Gramsh.

Me dhimbje të thellë u përcoll lajmi për ndarjen nga jeta të Skënder Lumshit, muzikant, kompozitor dhe drejtues i palodhur i jetës artistike në Gramsh. Si përgjegjës i Pallatit të Kulturës, ai i dha jetë këtij institucioni përmes qindra aktiviteteve dhe krijimtarisë së tij. Me dhjetëra këngë e vepra muzikore për fëmijë e të rritur, ai la pas një trashëgimi të çmuar.

Në nder të tij, Bashkia Gramsh vë në dispozicion një autobus për pjesëmarrësit në ceremoninë mortore të mërkurën, më 30 korrik, ora 08:00, me nisje përpara godinës së bashkisë.

Kush ishte Skënder Lumshi!

Skënder Lumshi u lind në vitin 1959 në Gramsh. Që në moshë të re u dallua për talentin muzikor dhe fillimisht ndoqi studimet teorike në Shkollën e Mesme të Muzikës në Elbasan e më pas në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, në degën e kompozicionit. Gjatë shkollës dhe më pas në jetën profesionale, Skënderi u dallua për seriozitet dhe vullnet pozitiv si në fushën e krijimtarisë, ashtu edhe në atë organizative.

Aktivitetin e tij profesional e ushtroi deri në fund të jetës në qytetin e tij të lindjes me detyrën e Shefit të Muzikës pranë Pallatit të Kulturës “Vëllezërit Çetiri”, ku nën drejtimin e tij artistik Gramshi përfaqësohet me sukses në aktivitetet kulturore lokale e kombëtare. Vlen të përmendim vëmendjen e tij kushtuar punës me formacionin e njohur të “Fyejve të Gramshit” me ruajtjen, vazhdimësinë dhe prezantimin e tyre në skenat brenda e jashtë vendit. Nuk mund të lemë pa përmendur këtu kontributin që dha në regjistrimin e këtij formacioni si “Vlerë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.

Skënder Lumshi ka qenë koleg dhe bashkëpunëtor i ngushtë me QKVT me pjesëmarrjen në Festivale Folklorike Tipologjike Kombëtare, si ai i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë, atë të Iso-Polifonisë dhe Sazeve, ku disa herë ka merituar çmime dhe diploma nderi.

QKVT, me rastin e ndarjes së tij të parakohshme nga jeta, i dërgon familjes, miqve e kolegëve të tij ngushëllimet më të thella!

Qoftë i paharruar kujtimi dhe kontributi yt, miku dhe kolegu ynë i shtrenjtë, Skënder Lumshi!