Ka humbur jetën si pasojë e Covid 19 Drejtori i Pallatit të Kulturës në Librazhd Arianit Alliu, në moshën 46 vjeçare. Alliu prej disa ditësh mjekohej në Tirane dhe nuk ka pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Mësohet se Aliu ka ndërruar jetë sot në Tiranë, duke lënë pas 3 fëmijë, ndërkohë që familja e tij është në zi pas këtij lajmi tragjik.
Alliu ka qenë organizator i mjaft aktiviteteve në qytetin e Librazhdit, ndërsa prej vitesh ka stërvitur grupe të rinjsh për të mësuar vallet tradicionale të vendit, duke fituar edhe disa konkurse.
Artisti Librazhdas, Arianit Alliu ishte një nga figurat më të njohura dhe të dashura për të gjithë Librazhdin dhe më gjërë. Pjesmarrës në shumë festivale në Shqipëri, diasporë, Ballkan, Europë deri në Azinë e largët dhe kudo, një drejtues i Festivalit të Valles Dyshe në Librazhd në vitin e kaluar, një festival i ideuar nga mjeshtri Sadi Halili, pjesmarrës i festivalit të madh mbarëkombëtarë mbarëshqiptarë “Këngë Jeho”, në Strugë në shtator 2020 ku fitoi Çmimin e Parë, medalje ari.
Qytetarët e Librazhdit vlerësojnë me fjalët më të mira Alliun, ndërsa shprehin ngushëllime për familjarët e tij.
Prej një muaji tashmë në vendin tonë ka një shtim të frikshëm të rasteve të infektimeve, por edhe të personave që kanë nevojë për shtrim spitalor.