Në baxhot e Shebenikut/ Gjysmën e vitit e kalon në mal, Ramazan Biçaku ka ndërtuar një bujtinë të vogël ku pret turistë

0

Gjysmën e vitit, tashmë prej dekadash, Ramazan Biçaku e kalon në malet e Shebenikut.

Mes natyrës bujare, ajrit të freskët dhe ujit të ftohtë të burimeve ka ngritur një baxho ku mbledh e përpunon qumështin e bagëtive të zonës.

Bulmeti që prodhon është padyshim bio dhe cilësor, falë kullotave të pastra dhe të larmishme të Shebenikut.

Ramazani trashëgon zanatin e të atit. Tregon se ka nisur ta mësojë qysh i vogël ndërsa më vonë ndoqi edhe një shkollë dy vjeçare që i shkonte përshtat profesionit.

Për bulmetin e Shebenikut ka kërkesa të shumta edhe përtej kufirit.

Besim Hasa është një prej barinjve që qumështin e bagëtive e çon në baxhon e Ramazanit. Shpreh keqardhjen që zanatin e tij e ushtrojnë shumë pak burra në fshat.

Përveç baxhos, Ramazani ka ngritur edhe një bujtinë të vogël ku pret e përcjell turistë vendas e të huaj.

Kur është i ngeshëm kthehet në udhërrëfyes të turistëve të cilëve u tregon i papërtuar pasuritë natyrore të parkut kombëtar.

Të qenit larg familjes është vështirësia më e madhe. Shpesh nuk ka mundur të jetë pranë të afërmve kur ata kanë pasur nevojë.

Për t`ju lehtësuar punën dhe jetesën banorëve pranë fshatrave të parkut kombëtar të Shebenik-Jabllanicës Ramazani kërkon edhe më tepër impenjim të pushtetit lokal.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu