Në mëshirë të Metalurgjikut: Institucionet bëjnë një sy qorr ndaj ndotjes së ajrit

0

Bashkia e Elbasanit pretendon se cilësia e ajrit është brenda normave të lejuara, por matjet e kryera nga Klubi Ekologjik dhe dëshmitë e banorëve rreth ish-Metalurgjikut tregojnë për nivele të larta të ndotjes nga kompanitë e industrisë së rëndë, veçanërisht në orët e natës dhe të mëngjesit.

 

Bardha Nergjoni/Dallandyshe Xhaferri në Elbasan

Në tetor 2017, Këshilli Bashkiak i Elbasanit deklaroi gjendjen e emergjencës mjedisore në zonën e ish-Metalurgjikut – burimi më i madh i ndotjes dhe kërcënim për shëndetin e mijëra banorëve në qytetin e Shqipërisë së Mesme.

Vendimi u mor pas ankesave të përsëritura të banorëve, të cilët akuzuan industrinë e rëndë për shkelje të ligjit dhe mospërdorim të filtrave pluhur-thithës.

Asokohe, pushteti vendor u angazhua që t’i jepte zgjidhje nivelit të lartë të ndotjes në zonën industriale të ish-Metalurgjikut. Por më shumë se 3 vjet më vonë, premtimet ranë në vesh të shurdhër, ndërsa banorët dëshmojnë se situata është përkeqësuar.

Përmes një pyetësori të publikuar online dhe takimeve direkte me komunitetin, InfoElbasani mblodhi gjatë muajve prill dhe maj dëshmitë e më shumë se 50 banorëve të fshatrave Bradashesh, Balldren, Vidhas dhe lagjeve të ndryshme të Elbasanit, të cilët jetojnë mes aromave të rënda, ajrit të tejndotur dhe lëndëve toksikuese që derdhen çdo ditë nga oxhaqet e fabrikave që operojnë në këtë zonë.

Të dhënat kyçe të raportuara nga banorët janë si më poshtë:

• Fabrika e prodhimit të çelikut e kompanisë Kurum, uzina e ferrokromit e zotëruar nga kompania Albchrome, rafineria e naftës së kompanisë R.H.Belinë si dhe inceneratori i mbetjeve urbane apo fabrika e baterive janë burimet kryesore të ndotjes në zonën industriale të Elbasanit.
• Niveli më i lartë i tymrave çlirohet gjatë orëve të natës ose herët në mëngjes; ç’ka dyshohet se lidhet kryesisht me mospërdorimin e filtrave të kapjes së pluhurit nga këto fabrika.
• Rreth 30% e banorëve të anketuar thanë se ishin ankuar për situatën në bashki apo institucionet e mjedisit, por pavarësisht premtimeve për marrjen e masave, asgjë nuk kishte ndryshuar.

!function(){“use strict”;window.addEventListener(“message”,(function(e){if(void 0!==e.data[“datawrapper-height”]){var t=document.querySelectorAll(“iframe”);for(var a in e.data[“datawrapper-height”])for(var r=0;r<t.length;r++){if(t[r].contentWindow===e.source)t[r].style.height=e.data["datawrapper-height"][a]+"px"}}}))}();

E shtrirë në një sipërfaqe prej 160 hektarësh, rreth 4 kilometra larg qendrës së Elbasanit, ish-Metalurgjiku është një ndër hot-sportet mjedisore më problematike në Shqipëri, e trashëguar nga periudha komuniste. Por tre dekada pas rënies së regjimit komunist, pushteti vendor vazhdon ta quajë ‘një problem të trashëguar’ ndotjen mjedisore në këtë zonë.

Drejtori i Drejtorisë së Mjedisit në Bashkinë e Elbasanit, Xhevahir Kapllanaj, i tha InfoElbasanit se vitet e fundit ka një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit në qytet. Ai ia atribuoi këtë përmirësim zhvendosjes së mbetjeve urbane drejt inceneratorit, të cilin e quajti “një revolucion”.

“Padyshim që ne nuk kemi arritur parametrat të kënaqshme, sepse ne kemi industrinë e Metalurgjisë, që mbetet një ndotës potencial, por duke e mbajtur nën kontroll dhe duke u aktivizuar dhe filtrat, ka një përmirësim të ndjeshëm dhe të qytetit,” tha Kapllanaj.
Kapllanaj shtoi se matjet e kryera nga Bashkia tregojnë se cilësia e ajrit në qytet është brenda kushteve të Bashkimit Europian.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga InfoElbasani nga matjet alternative të kryera në 129 pika të qytetit tregojnë një realitet krejt të kundërt me atë që pikturon Bashkia.

Matjet në kohë reale: Ndotja disafish më e lartë

Të nxitur nga raportimet e shumta të qytetarëve, InfoElbasani dhe Klubi Ekologjik zhvilluan një monitorim të pavarur të nivelit të ndotjes nëpërmjet një pajisje të specializuar gjatë muajve shkurt dhe mars në zonën e ish-Metalurgjikut, por edhe në pika të ndryshme të qytetit.

Rezultatet janë shqetësuese dhe tregojnë se niveli maksimal i regjistruar ishte deri në tetëfish më shumë sesa normat e Bashkimit Europian në zonën industriale. Shifra të larta të ndotjes së ajrit rezultuan edhe në qytet. Gjithashtu u zhvilluan matje edhe në orët e natës, ku sidomos fundjavave, ajri rezultoi tepër i ndotur.

Klubi Ekologjik i drejtuar nga Ahmet Mehmeti zhvillon prej më shumë se dy vitesh matje të 8 parametrave të ajrit në qytetin e Elbasanit, në kuadër të projektit “Bashki të gjelbra”. Mes parametrave të matur janë gazi karbonik, grimcat PM 2.5 dhe PM 10, lëndët që gjenden tek karburantet si dhe niveli i ozonit.

“Kur bëjmë matje në Metalurgji del 7-8 fish, në Elbasan shkon ndotja deri në 4-fish mbi normën europiane,” tha Mehmeti për InfoElbasani. “Kështu, sa herë nuk fryn erga nga Librazhi në drejtim të detit, ne jemi nën ndikimin total të Metalurgjikut,” shtoi ai.
Shkarkimet e pakontrolluara në ajër nga kompanitë që ushtrojnë aktivitetin në zonën industriale, të tilla si Kurum International, Albchrome, EFC etj, pranohen edhe nga Bashkia e Elbasanit në Planin Vendor për Mjedisin 2020-2022.

“…Të sensibilizohet në mënyrë të vazhdueshme ndaj operatorëve të mëdhenj industrialë me objektivin që ato të respektojnë detyrimisht normat e miratuara të shkarkimeve në ajër, si bazë kjo për të arritur në një kohë sa më të afërt normat e vendosura nga KE,” thuhet në këtë dokument.

E megjithatë, ekspertët theksojnë se legjislacioni shqiptar ka një handikap në këtë drejtim, pasi i ngarkon kompanitë ndotëse që të masin vetë parametrat e shkarkimeve në ajër.
“Organet kompetente nuk e bëjnë punën e duhur për arsye të ndryshme, mund edhe të jenë të justifikuar, s’kanë mjete për t’i ndjekur, për të lëvizur në çdo kohë dhe për të dhënë realitetin,” tha Mehmeti i Klubit Ekologjik për InfoElbasani.

“Zakonisht matja e parametrave të mjedisit bëhet nga vetë kompanitë, duke marrë operatorë të tjerë të specializuar që i paguajnë. Kjo metodë duhet të hiqet, pasi këto raporte janë lehtësisht të manipulueshme,” shtoi ai.

Gjatë monitorimit 2 vjeçar, Mehmeti thekson se masat ndaluese për shkak të pandemisë së COVID-19 ishin të bekuara për mjedisin.
“Nga matjet e atyre muajve rezulton se ajri ishte totalisht i pastër, por kjo nuk zgjati shumë. Gjithësesi, këto dy muaj ndikuan në mesataren vjetore, që për 2020 rezulton më e ulët se vitet e tjera,” sqaroi ai.

Duket se ndotja prej fushës ekzistuese të mbetjeve, është zhvendosur tashmë në zonën industriale pranë fshatit Katund i ri dhe lagjes Skënderbej. Nga matjet e Klubit Ekologjik në bashkëpunim me Infoelbasani në portën e inceneratorit, niveli i ndotjes rezulton gati trefish mbi normat. Ndotja varion në intervale të caktuara kohore. Kështu nga raportimet e qytetarëve mësohet se në orë të ndryshme ka djegie të mbeturinave që lëshojnë tym duke reflektuar dhe erë të keqe.

E pyetur nga InfoElbasani, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ktheu një përgjigje të cunguar për parametrat e ajrit gjatë vitit 2020.
“Bazuar në të dhënat e monitoruara për PM10 në stacionin e Elbasanit, theksojmë se nuk kemi tejkalim të vlerës mesatare dhe numrit të ditëve të lejuara për këtë periudhë,” tha Agjencia.

Ndryshe nga matjet e kryera nga Klubi Ekologjik, Agjencia Kombëtare e Mjedisit tha se nuk kishte tejkalim të normave për treguesit SO2, NO2, O3, CO dhe benzenit.

Banorët: Nata është katastrofë

Banorët e fshatrave Balldren dhe Vidhas në zonën e ish-Metalurgjikut i tha InfoElbasanit se ndotja ishte përkeqësuar gjatë viteve të fundit, me shtimin e kompanive të industrisë së rëndë pranë shtëpive të tyre. Pavarësisht ankesave të shpeshta, ata dyshojnë se shumica e fabrikave nuk përdorin filtra gjatë orëve të natës, çka duket me sy të lirë nga niveli i tymrave në orët e para të mëngjesit.

“Kur ngrihemi në mëngjes këtu është tym i gjallë. Gjatë darkës nuk hap dot derë e dritaret, se vjen nafta, plus ferrokromi që është këtej. Po metalurgjia kuptohet…punon gjithë natën pa filtra,” tha Avniu, një banor i fshatit Balldren.

Fqinjët e tij janë njësoj të shqetësuar për pasojat e nivelit të lartë të ndotjes mbi shëndetin e të afërmve të tyre. Razia, një tjetër banore thotë se shtimi i rafinerisë së naftës e ka bërë më shqetësuese situatën.

“Ajo punon gjatë natës, gjasme nuk shohim ne dhe tymi vlon. Ndotja këtu te ne, sidomos në fshatin Balldren është e madhe. Unë them si nuk po vdesim? Qysh po rrojmë?” tha Razia.

“Ne mundohemi të lajmë, të pastrojmë, por prapë ndotja bën të vetën. Kemi frikë fëmijët e vegjël. U themi mos prek këtu, jo atje. Ndotja është si mos më keq. S’ka ku të shkojë më keq,” shtoi ajo.

Pasojat në shëndet i vuan edhe Ramazan Basha, i cili e lidh alergjinë e tij me ndotjen e lartë të ajrit. Ndërsa po afrohet sezoni i nxehtë i verës, Basha thotë se vuajtjet e tyre kanë për të qenë më të mëdha.

“Këtu është shumë keq. Sidomos muajt e verës këtu është katastrofë, sepse gjatë dimrit kur bie lagështia ajroset çdo gjë, por tani fillon vuajtja jonë,” tha ai.

Pas protestave, ankesave dhe peticioneve ndër vite, banorët e këtyre fshatrave i kanë humbur shpresat se situata do të ndryshojë për mirë. Sipas Taulant Blloshmit nga Balldreni, ankesat e tyre kanë përfunduar gjithmonë në vesh të shurdhër.

“Jemi ankuar jo njëherë, por disa herë. Këtu nuk bëhet derman. Kanë frenuar dy javë, pastaj po ajo gjendje bëhet. Nuk ka pasur stabilitet këtu ku jemi,” përfundoi Blloshmi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu