Në Nëntor pritet të nisin punimet për Korridorin 8, aksin që lidh Elbasanin me Qafë Thanën. Drejtori i ARRSH, Ervis Berberi tha për Tv Klan se punimet për segmentin kryesor të juglindkes do të zhvillon me fazë për shkak të kostos së lartë në buxhetin e shtetit.
“Është Korridori 8, ishte e nevojshme që të shtohej shpejtësia e lëvizjes dhe tani jemi në pikën që do shpallet tenderi për zgjerimin dhe përmirësimin e këtij aksi. Nuk është vetëm zgjerim pasi nga një kategori më e ulët kalojmë në një kategori më të lartë, arrijmë në kategorinë B të rrugës”.
Loti i parë i punimeve përfshin aksin nga Fushë-Labinoti deri në Mirakë në një gjatësi prej 5.3 kilometra.
“Po të marrim parasysh aksin e parë që fillon nga segmenti Fushë-Labinot deri në Mirakë janë 5.3 km të cilat përmirësohen, në 1 kilometër kemi zgjerim të aksit nga dy korsi në 4 korsi, ndërsa në pjesën tjetër kalojmë në një trup të ri rruge dhe aks të ri i cili është tërësisht 4 korsi në një fushë që nuk ka kaluar më parë ky aks”.
Aksi do të jetë me 4 korsi dhe të gjithë infrastrukturën rrugore përfshirë edhe gardielat anësore.
“Kategoria b në vetvete përfshin 4 korsi të lëvizjes me një shpejtësi minimale 90 km/h, ndërsa ne jemi në një shpejtësi projektimi 110 km/h. Me 3.75 metra secila korsi, me 1.8 metra trafikndarëse në mes të gjelbëruar dhe anësoret në anën e bregut të lumit. Ky është segmenti i parë”.
Kostoja e lotit të parë kap vlerën 2.5 miliardë Lekë nga buxheti i shtetit dhe ka një afat punimehs prej 18 muajsh duke përfunduar në maj të vitit 2024. ARRSH synon që brenda tre vitesh të përfundojë segmenti deri në Qukës duke përgjysmuar kohën e udhëtimit.