Në pritje te hapjes së rrugës drejtuesit e mjeteve “zënë radhën” (VIDEO)

0

Librazhd – Dhjetëra automjete janë rreshtuar që në orët e para të mëngjesit në të dyja anët e aksit Librazhd–Prrenjas, ndërsa drejtuesit e mjeteve presin hapjen e qarkullimit në segmentin e dëmtuar pranë Dragostunjës, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.

Segmenti pritet të hapet sot në orën 12:00, përmes një rruge provizore të ndërtuar pas ndërhyrjeve emergjente që pasuan rrëshqitjen e tokës dhe dëmtimin e rëndë të trupit të rrugës, duke bllokuar për disa ditë një nga arteriet kryesore që lidh juglindjen me pjesën tjetër të vendit.

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, deklaroi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qarkullimit dhe se zgjidhja e realizuar është më e shpejta për rikthimin e lëvizjes në këtë aks.

“Kjo ishte zgjidhja më e shpejtë. Ne e kemi testuar dhe janë marrë masa paraprake. Disiplinimi i ujërave na ndihmon shumë dhe kjo është zgjidhja më e shpejtë edhe për të mirën e ekonomisë”, u shpreh Kozeli.

Ai theksoi gjithashtu se, sipas vlerësimeve teknike, shkak i shembjes së rrugës ka qenë erozioni, dhe jo gërmimet, siç ishte përfolur fillimisht.

Ndërkohë, në pritje të hapjes së segmentit, drejtuesit e mjeteve kanë krijuar kolona të gjata automjetesh, duke qëndruar në radhë për të kaluar në këtë aks jetik për qarkullimin drejt juglindjes së vendit.

Me hapjen e rrugës në mesditë, pritet që trafiku i bllokuar prej disa ditësh të fillojë të shpërndahet gradualisht, duke rikthyer normalitetin në këtë segment të rëndësishëm rrugor.