Në tregun e punës ata me kualifikim të ulët/ Elbasani “zbrazet” nga të arsimuarit

0

Rënia e popullsisë dhe niveli i lartë i emigrimit dhe migrimit të brendshëm po ndikojnë negativisht te bashkitë e mëdha të vendit drejt falimentit.

Elbasani është një ndër katër qytetet më të mëdha në vend për nga numri i popullsisë, me një strukturë ekonomie ku përveç bujqësisë, është e zhvilluar edhe industria. Mungesa e fuqisë punëtore dhe kualifikimi i ulët e tyre do të mbajë peng zhvillimin ekonomisë të qarkut.

Një analizë e Agjencisë Kombëtarë të Punësimit për 2017 – 2021 vuri re se, papunësia në Qarkun e Elbasanit është zbutur, por ndikim të madh pati tkurrja e popullsisë dhe emigrimi i të rinjve.

Përveç trendeve natyrore demografike, migrimi i fuqisë punëtore aktive është identifikuar si një problem i madh dhe i qartë, gjë e cila krijon probleme të shumta për çdo politikë të tregut të punës, vërën studimi i AKP.

Reduktimi i fluksit të kapitalit njerëzor ka çuar në mungesë të fuqisë punëtore, por nga ana tjetër po bëhet shkak për mosgjenerimin e bizneseve të reja në këtë qytet. Të dhënat në lidhje me punëkërkuesit e regjistruar sugjerojnë se fuqia punëtore aktuale e papunë është e pakualifikuar, e moshuar dhe e papunë për një periudhë afatgjatë.

Kjo situatë është e pritshme kur merret parasysh tipologjia e kualifikimit të ulët të punëkërkuesve, ku mungesa e aftësive bazë, kualifikimeve dhe përvojës në punë shihen shpesh si barrierat kryesore me të cilat përballen personat që vuajnë nga papunësia afatgjatë.

Midis këtyre grupeve mund të ketë mungesë të aftësive teknike, ose vjetrim të këtyre aftësive dhe njohurive nëse ato nuk përditësohen me nevojat e kohës.

Shumë prej punëtorëve të moshuar po hyjnë në tregun e punës, por ata nuk kanë aftësitë që duhen.

I ndodhur në një pozicion të favorshëm gjeografik, i pasur me burime natyrore, së bashku me trashëgiminë e tij historike dhe social-kulturore, Elbasani është një nga rajonet më të rëndësishme në Shqipëri. Elbasani ka një popullsi prej 266,245 banorësh,3 duke u renditur kështu si rajoni i katërt më i madh në vend me 9.4% të popullsisë shqiptare.

Ashtu si çdo rajon në Shqipëri, popullsia ka ardhur në rënie gjatë 20 viteve të fundit, në këtë rast me një rënie prej rreth 26%, kryesisht për shkak të migrimit të jashtëm dhe të brendshëm dhe dinamikave të tjera demografike.

E zbërthyer sipas nivelit arsimor, popullsia në moshë pune që ka të paktën një diplomë universitare është fuqia punëtore më aktive, duke paraqitur edhe luhatje të mëdha ndër vite. Si personat me shkollë 9-vjeçare ashtu edhe ata me shkollë të mesme, shfaqin përqindje më të ulëta të pjesëmarrjes dhe trend në rënie.

Analizimi i nivelit arsimor të punëkërkuesve të papunë të regjistruar është një tregues i mirë për nivelin e aftësive të të papunëve. Rezultatet tregojnë se gjatë 5 viteve të fundit shumica e punëkërkuesve të papunë kanë përfunduar shkollën 9-vjeçare, gjë që flet për kualifikimin e tyre të ulët.

Konkretisht në vitin 2020, 64% e punëkërkuesve të papunë kanë mbaruar shkollën 9-vjeçare, ndërsa 20% kanë përfunduar shkollën e mesme dhe 10% shkollën profesionale. Nga ana tjetër, vetëm 6% e punëkërkuesve të papunë të regjistruar kanë përfunduar universitetin ose një nivel lartë studimi.

Duke marrë parasysh pjesën që ka përfunduar shkollën profesionale dhe një universitet ose nivel më të lartë studimi si fuqi punëtore e kualifikuar, rezultatet sugjerojnë se pjesa dërrmuese e punëkërkuesve të papunë janë me aftësi të ulëta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu