Në zbatim të masës “Detyrim Paraqitje”, Monika Kryemadhi në SPAK: Do ndjekim të gjitha procedurat ligjore

0

TIRANË – Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është paraqitur mesditën e kësaj të hëne në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në zbatim të vendimit të GJKKO-së për masë e sigurisë “detyrim paraqitje”. Kryemadhi është filmuar në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme me dy gishta lart që është simbol i Partisë Demokratike.

Pas firmosjes në SPAK, Kryemadhi ka folur për gazetarët për çështjet e saj me drejtësinë. Lidhur me çështjet hetimore ajo tha se do të ndjkë të gjithë procedurën. Ajo shtoi se ka bërë kërkesën për tu njohur me fashikujt, por nuk i është kthyer përgjigje, dhe sipas saj i gjithë komunikimi është zyrtar dhe shkresor.

“Kam edhe një tjetër, rekursin për sekuestrim e shtëpisë. Do fillojmë të marrim zanatin e avokatit, me qetësi dhe durim. Lidhur me çështjet hetimore, do të ndjekim të gjithë procedurën. Kam bërë kërkesën për tu njohur me fashikujt, nuk më është kthyer përgjigje, i gjithë komunikimi është zyrtar dhe shkresor. Përsa u përket procedurave të tjerë, do ti ndjekim hap pas hapi”, tha deputetja.

Deputetja po hetohet nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash. Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK