Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit ligjore ndaj tij, duke i cilësuar akuzat si absurde dhe procesin si një sulm të motivuar politikisht. Në një deklaratë publike, Veliaj shprehet se përballja me drejtësinë ka qenë një “kapitull i gjatë zvarritjeje”, por paralajmëron se ky është vetëm fillimi i betejës së tij për të vërtetën.
Duke vënë në pikëpyetje integritetin e procesit hetimor, ai akuzon organet e drejtësisë për shantazhim të dëshmitarëve dhe për një qasje të njëanshme ndaj tij dhe familjes së tij.
Ai gjithashtu përmend se disa sipërmarrës janë penalizuar për shkak të mbështetjes së aktiviteteve kulturore në Tiranë, ndërsa thekson se akuzat kanë ndikuar edhe në jetën e përditshme të familjes së tij. Veliaj shpreh keqardhje për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, duke pohuar se ajo nuk është lejuar as të marrë dhe të çojë djalin e tyre në shkollë. “Më vjen keq për Ajolën, më vjen keq për nënën time, që zemërplasur në çdo betejë timen këto 20 vite, nuk i janë ndarë peripecitë e një jete sakrificash,” shton ai.
Veliaj thekson se do të vazhdojë betejën e tij për të treguar të vërtetën dhe se beson se drejtësia do të triumfojë mbi atë që ai e quan një “barrikadë të padrejtësisë”.
Reagimi i Erion Veliaj
Nuk më befason ky fund absurd i këtij kapitulli të gjatë zvarritjeje sa në gojët e qenërisë mediatike dhe sa në duart e një prokurori lunatik, që është një fyerje e gjallë e inteligjencës njerëzore. Por, ky ishte vetëm kapitulli i parë.
Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut. Kam respektuar, si gjithë të tjerët, vijën tonë politike, jo komente për një proces të hapur nga drejtësia.
Besomëni, nuk është e lehtë të heshtësh kur të djeg lëkura sikur të fikin bishta cigaresh në trup nga idiotësitë që të thotë një prokuror, si ai që nuk la dëshmitar pa shantazhuar. E kam bërë me besimin që kështu duhet dhe nuk pendohem që kam shtrënguar dhëmbët.
Nuk besoj se mediat do të kenë kurajon të zbërthejnë një më një akuzat idiote dhe më vjen tmerrësisht keq që disa sipërmarrës kanë hyrë në dorën e atij të padituri epsharak, për shkak se kanë sponsorizuar aktivitete kulturore për Tiranën.
Më vjen keq për Ajolën, që as djalin nuk e lanë të çojë e marrë nga shkolla, por edhe kjo nuk më befason.
Më vjen keq për nënën time, që zemër plasur në çdo betejë timen këto 20 vite, s’ju ndanë peripecitë prej një jete sakrificash.
Më vjen keq për të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe dua ta dinë që nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani.
Më vjen keq për motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë, siç duket gjasat, përderisa më fusin në burg pa gjyq 3 muaj para zgjedhjeve. U them të gjithëve atë që i kam thënë kryetarit dhe kujt tjetër më ka pyetur: Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion. Kjo historia jonë është aq tragjikomike sa njerëzit s’do ta besojnë kur t’i dëgjojnë të zbërthyera një e nga një, idiotësitë e asaj akuze. Nuk do të jetë e lehtë, se në këto kushte nuk shpjegohesh dot si do dhe sa do, por kam një besim të madh se e vërteta është më e fortë se sa çdo mur dhe se sa çdo idiot që i bëhet asaj barrikadë duke abuzuar me pushtetin e drejtësisë.