Shqipëria gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një desrinacion të dashur për turistët e huaj. Një grup turistësh nga SHBA, iu bashkua fermerëve të fshatit Fushë-Studën në Njësinë Administrative Steblevë për të marrë pjesë në mbjelljen tradicionale të patates, një kulturë simbol e zonës. Ata pluguan tokën me parmendë dhe hodhën me duart e tyre farën e patates në tokë.Kjo përvojë autentike u bë pjesë e një vizite më të gjerë në zonat malore të Librazhdit, ku turistët përjetuan nga afër jetën rurale dhe mikpritjen vendase, duke e kthyer turizmin bujqësor në një atraksion të ri për rajonin.Njëri prej tyre u shpreh entuziast për këtë eksperiencë të pazakontë.
“Kjo ishte një përvojë e jashtëzakonshme dhe e shkëlqyer që nuk mund ta përjetosh lehtë në ndonjë vend tjetër. Shqipëria është thjesht mahnitëse dhe e mrekullueshme në çdo aspekt.Kemi ardhur nga disa shtete të botës, dhe për shumë prej nesh, kjo është hera e parë në Shqipëri. Po shijojmë natyrën e mrekullueshme të Parkut Kombëtar Shebenik, por edhe po ndihmojmë fermerët e zonës me punët në bujqësi. Një kombinim ideal i relaksit dhe kontributit.Gatimet janë të shijshme, njerëzit janë të mrekullueshëm. Me siguri do të kthehemi, dhe do të sjellim me vete edhe grupe të tjera më të mëdha. U bëjmë thirrje të gjithëve të vizitojnë Shqipërinë sa më shpejt, sa më shpesh dhe sa më shumë!”
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan, Fatmir Brazhda, i cili së bashku me stafin e tij iu bashkua grupit të turistëve në mbjelljen e patates në Fushë-Studën u shpreh se kjo është një qasje e re në turizëm që po përqafohet nga turistët e huaj.
Librazhdi me pasurinë e tij të rrallë natyrore dhe kulturore po pozicionohet gjithnjë e më shumë në hartën e destinacioneve malore më atraktive në Shqipëri duke ofruar jo vetëm pushim dhe aventurë, por edhe mundësi për përvoja të paharrueshme dhe të veçanta.