Nga ekonomia, raportet me BE-në dhe tensionet në Veri / Kurti: Kur mendoj për prioritetet e ditës, Serbia nuk është e para

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për gazetarin Stephen Israel të botuar në gazetën zvicerane Tages-Anzeiger ka deklaruar se Serbia vazhdon të mos jetë prioriteti i tij i parë dhe se nuk është gabim që edhe në fushatën e fundit elektorale nuk e kishte renditur si të tillë.

Kurti në këtë intervistë ka folur edhe për situatën e fundit në Veri, dialogun me Serbinë, raportet me Bashkimin Evropian, ekonominë e Kosovës dhe nevojën për normalizim raportesh me Serbinë.

Intervista e Kurtit me Stephen Israel:

Zoti Kurti, ju do të shkoni në Davos këtë javë. Cili është mesazhi juaj atje?

Na vizitoni dhe investoni me ne. Sepse Kosova është një vend progresiv, pro-evropian dhe demokratik. Kosova është një histori e dyfishtë suksesi. Në vitin 1999, vendet e NATO-s ndaluan gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Që atëherë, ne kemi dëshmuar se zhvillimi ekonomik dhe demokracia mund të ecin paralelisht.

A do të takoheni me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe ta kërkoni një zgjidhje në marrëdhëniet e bllokuara mes Beogradit dhe Prishtinës?

Kjo varet nga i dërguari i posaçëm i BE, Miroslav Lajçak. Ne jemi të interesuar për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës midis dy vendeve, bazuar në njohjen reciproke. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për një dialog konstruktiv.

Kohët e fundit, megjithatë, ju keni kontribuar në një përshkallëzim të situatës me një qëndrim të ashpër në mosmarrëveshjen për njohjen reciproke të targave.

A do ta pranonte Zvicra nëse një pakicë në vend do të udhëtonte me targa italiane apo franceze për vite me radhë? Shumica dërrmuese e serbëve në veri të vendit tonë nuk kanë asnjë problem me targat e Kosovës. Një grup i vogël shfrytëzohet nga Beogradi. Njerëzit e armatosur pas barrikadave nuk shqetësohen për të drejtat e pakicave, por për pretendimet territoriale. Ata duan të mbrojnë veriun e Kosovës si zonë pa ligj.

Serbët kanë hequr dorë nga puna në polici dhe gjyqësor. Kjo është një kthim prapa në integrimin e pakicës serbe.

Unë nuk mendoj kështu. Ne kemi pasur shumë integrime të rreme gjatë dhjetë viteve të fundit. Zyrtarët serbë kryesisht i kanë bojkotuar seancat. Me ministrin tim të ri serb dhe këshilltaren e tij, tani kemi një integrim të vërtetë. Ata janë dy personat të urryer në Beograd edhe më shumë se unë.

Dikur i fituat zgjedhjet duke premtuar se do punonit kundër korrupsionit Nga ana tjetër, marrëdhëniet me Serbinë nuk janë prioritet. A ishte ky një gabim?

Beogradi është nervoz sepse ne po ecim mjaft mirë edhe pse nuk na njohin. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, ne kemi bërë përparim të madh në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave.

Por prapëseprapë, Kosova ka marrëdhënie të pazgjidhura me Serbinë.

Sigurisht, fqinji ynë në veri do të qëndrojë. Por kam mjaft për të bërë në shtëpi. Vitin e kaluar kemi pasur mbi 10 për qind rritje. Me fjalë të tjera, ne jemi në një rrugë të mirë, pavarësisht mosnjohjes nga Beogradi. Kur zgjohem në mëngjes dhe mendoj për prioritetet e ditës, Serbia nuk është e para.

Ju dëshironit të bënit dialog me serbët vendas në vend të Beogradit. Nuk e bëtë.

Asnjë shef i qeverisë para meje nuk ka pasur kaq shumë takime me përfaqësues të shoqërisë civile serbe. Por ne nuk e bëjmë atë publikisht. Unë punësova një këshilltar serb në fillim të mandatit tim. Sapo emërimi i tij u bë publik, ai dhe gruaja e tij u kërcënuan aq shumë sa që dha dorëheqjen nga posti. Të tjerë para tij që donin të përfshiheshin janë vrarë.

Të rinjtë, jo vetëm pjesëtarët e minoritetit serb, po emigrojnë dhe po largohen nga Kosova.

Sigurisht, për fat të keq është kështu. Ne po punojmë për të ndryshuar trendin. Unë jam edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por, siç tha kohët e fundit presidenti amerikan Joe Biden, njohja reciproke duhet të jetë në qendër. Deri më tani, në dialogun e Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjithmonë kemi qenë nën presion për të bërë lëshime, duke thënë se Serbia përfundimisht do të na njohë. Por kjo nuk do të funksionojë kurrë.

A nuk është BE-ja më e rëndësishme për Kosovën se SHBA-ja?

BE-ja duhet të mendojë nëse dëshiron të vazhdojë të paguajë të gjitha subvencionet për Serbinë pa kushte. Beogradi nuk ka miratuar sanksionet kundër Moskës dhe merr gazin më të lirë nga Rusia. Për Beogradin, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën janë të parat. Kjo duhet të ketë një çmim. Presidenti Vuçiç ishte ministër i propagandës i diktatorit Slobodan Millosheviç, ndërsa ju u dërguat në Beograd si i burgosur politik. A ndikon kjo në bashkëpunimin tuaj?

E di me kë kam të bëj. Gjermania pati denazifikimin pas Luftës së Dytë Botërore. Serbia nuk e ka bërë të njëjtën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu