Nga triumfi në Champions me Marsejën deri te kampion Bote me Francën, Deshamp i destinuar për trofe

0

Didier Deshamp do të udhëheqë Francën si trajner në finalen e dytë të një Botërori pas suksesit në vitin 2018, ku u shpallën edhe kampionë. Karriera e trajnerit francez 54- vjeçar është e gjatë, ku bien në sy trofe, kudo që ka drejtuar.

Deshamps është në krye të kombëtares franceze që prej vitit 2012 dhe kur shohim kontributin e tij te “Gjelat”, nuk përfundon vetëm si trajner, por ka një histori të hershme edhe si lojtar dhe si kapiten, ku bie në sy që Didier është i destinuar për trofe dhe ka korrur sukses kudo që ka luajtur.

1993- Kapiten i Marsejës. Nëse ka një Champions League të vetme të fituar nga një ekip francez, është ai i vitit 1993, kur Marseja arriti të ngrinte lart trofeun me fitoren 1-0 përballë Milanit në “Olimpiashtadion”. Deshamp ishte kapiten i Marsejës.

1998- Kapiten i Francës. Blutë arritën që të fitonin Kupën e Botës për herë të parë në historinë e tyre në vitin 1998, teksa mposhtën 3-0 Brazilin në shtetin e tyre. Deshamp udhëhiqte Francën si kapiten.

2000- Suksesi vijoi edhe dy vite më vonë, kur Franca u shpall kampione e Europës në finalen e madhe me shtesë, ku mposhti Italinë. Gjithashtu edhe në këtë triumf, Deshamp ishte ai që ngriti lart kupën si kapiten i ekipit.

2018- Trajner i Francës. Pasi kishte gjashtë vite nën drejtimin e kombëtares franceze, erdhi momenti që Deshamp ta dërgonte ekipin e tij në finalen e Botërorit 2018. Dy vite më parë ai ngeci në finale, teksa Portugalia i rrëmbeu Europianin 2016, me një fitore 1-0. Ndërkohë, përballë Kroacisë, blutë e drejtuar nga 54-vjeçari triumfojnë 4-2 dhe Franca shton një tjetër Kupë Bote.

2021- Edicioni i dytë i kompeticionit më të ri të UEFAs, Liga e Kombeve, u fitua nga Franca. Sigurisht me Deshampin në drejtim, “Gjelat” arritën që të mposhtnin Spanjën në finale me rezultatin 2-1, duke shtuar një tjetër trofe në koleksionin e tyre.

2022- Nëse Franca ka arritur deri në finalen e Botërorit të Katarit, padyshim që është edhe meritë e Didier Deshampit, i cili vuajti edhe mungesën e Karim Benzemasë këtë edicion. Nesër ai do të tentojë që Botërorin e tretë, si lojtar dhe trajner, por edhe nëse Argjentina do të shpallet fituese, sërish Deshamp mbetet i suksesshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu