“Ngacmonte vajzën e familjes tonë”,Gjykata merr vendimin për tre vëllezërit

0

3 vëllezërit Gerald, Arjan e Marjus Marini, përkatësisht 38 ,40 dhe 42 vjeç janë përballur mesditën e sotme me togat e zeza të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tyre.

Ata kanë mbërritur në ambjentet e brendshme të Gjykatës së Beratit nën masa të rrepta sigurie ,ndërkohë që seanca është zhvilluar pa praninë e mediave. Mësohet se prokurori i çështjes, Dritan Gripshi i ka kërkuar gjykatës “vlerësimin të ligjshëm” të arrestimit të tyre dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” pa afat për të 3 vëllezërit Marini, për veprat penale “Plagosje me dashje” dhe “Kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë së Rendit Publik”.

Të forta kanë qënë akuzat dhe deklarimet e 3 vëllezërve Marini në sallën e gjyqit, deklarata që kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi deklaratat zyrtare të dhëna nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat në lidhje me ngjarjen.

3 vëllezërit Marini kanë deklaruar në sallën e gjyqit se, konflikti mes dy familjeve (komshinj me njëri-tjetrin) ka ndodhur për shkak të një veprimi të turpshëm që Albert Mema ka kryer ndaj një prej familjarëvë të tyre.

“Njëra nga vajzat tona që është vetëm 15-vjeçe na ka thënë se sa herë që dilte e hynte në shtëpi ngacmohej me fjalë e veprime të turshme nga komshiu Albert Mema. Për këtë arsye, njëri nga ne, Gerald Mema ka shkuar në dyqanin e tij dhe i ka kërkuar të mos e ngacmojë më vajzën dhe të lërë të qetë familjen tonë.

Ka përdorur edhe fjalë kërcënuese e ofenduese ndaj tij por nuk e ka prekur dhe është larguar drejt banesës sonë që ndodhet 50 metra larg nga dyqani. Rreth 15 minuta më vonë në banesën tonë ka mbërritur policia,që ka shqyer derën me forcë, ka hyrë brenda shtëpisë sonë dhe na ka dhunuar. Në këto momente, vëllai Armand Marini që është me probleme të shëndetit mendor i është hedhur përsipër një polici por ky i fundit në përpjekje për të nxjerrë armën e shërbimit që të qëllonte është vetëplagosur”, kanë thënë vëllezërit Marini.

Avokatja e vëllezërve Marini, Flutura Eski, ka deklaruar se klientët e saj nuk kanë kryer asnjë veprim aktiv, me dashje direkte apo jo indirekte për të plagosur efektivët e policisë. Sipas avokates Eski,nuk ka asnjë provë që të vërtetojë kundështimin e punonjësit të policisë së shtetit apo plagosjen e tyre.

Avokatja Flutura Eski ka deklaruar se policia ka dhunuar banesën e familjes Marini, në të cilën ka hyrë me forcë dhe pa asnjë “urdhër ndalimi të ligjshëm” nga prokuroria për ndalimin e vellezërve Marini.

Avokatja  ka deklaruar se ndaj vëllezërve Marini është përdorur dhunë nga ana e policisë dhe se nuk është e vertetë që policia ka ndërhyrë për të shuar konfliktin pasi konflikti kishte mbaruar dhe vellezërit Marini ishin në banesën e tyre.

Flutura Eski i ka kërkuar gjykatës një masë më të lehtë për klientët e saj, pasi siç është shprehur ajo në sallën e gjyqit, nuk ka prova që të vërtetojnë veprën penale dhe askush nga 4 policët e tjerë të Patrulllës së Policisë nuk ka deklaruar se kanë parë sesi ndodhi plagosja por vetëm se kanë dëgjuar krismën e armës.

Pasi ka dëgjuar palën akuzatore dhe atë mbrojtëse ,gjyqtarje Entela Gjoni ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për vëllezërit Arjan e Marjus Marini, përkatësisht 40 dhe 42 vjeç dhe “arrest në burg me afat 30-ditor” për Gerald Marinin, 38-vjeç.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në qytetin e Beratit ,pas një konflikti mes dy familjeve Marini e Mema.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu