Ngjarja në Kurbin, Reagon SHÇBA: E goditën anëtarët e fisit Fufi

0

 

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit ka dhënë njoftimin zyrtar mbi atë që ndodhi ditën e djeshme në Mamurras, ku mbetën të plagosur dy punonjës policie, dhe Nikolin Vorfi.

Për plagosjen e tyre është arrestuar efektyivi i Policisë David Madani, i cili duket se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.

Sipas SHÇBA ngjarja ka nisur për shkak të një kontrolli që Policia ka bërë në orët e paradites në një nga lokalet në pronësi të vëllezërve Fufi, për shkak se në ambientet e tyre ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit.

‘Të inatosur’ nga ky kontroll, vëllezërit Fufi i kanë zënë pritë patrullës së policisë dhe i kanë qëlluar me sende të forta, ndërkohë që Madani në kushtet e vetëmbrotjes ka nxjerrë armën dhe ka bërë qitje në mënyrë të pakontrolluar.

Mbetet e paqartë se si ai ka mundur të qëllojë dy kolegët e tij, ndërkohë që SHÇBA thotë se në vendngjarje janë sekuestruar 3 gëzhoja, të treja të qitura nga arma e Madanit.

Madani, 45 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Stacionit të Policisë Mamurras, u arrestua për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.

Po ashtu janë arrestuar dhe shtetasit: Gjon Fufi, Nikoll Fufi ose ndryshe Nikoll Vorfi, si dhe Rudolf Fufi, të cilët akuzohen për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.

Njoftimi i plotë i SHÇBA:

Kurbin – SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka arrestuar 1 punonjës policie dhe 3 shtetas të tjerë në lidhje me ngjarjen e djeshme, ku mbetën të plagosur 3 persona.

Në datë 13 prill 2021 në Qendër Mamurras, rreth orës 13:50, tre shtetas kanë goditur me sende të forta, një punonjës policie, i cili në kushtet e vetëmbrotjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën, në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin N.V. dhe dy kolegët e tij, punonjësit e policisë I.Z. dhe F.LL. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në spital për kurim të mëtejshëm.

Ngjarja ka ndodhur pasi punonjësit e policisë të Stacionit të Policisë Mamurras, në orët e paradites, kanë kryer kontroll në ambjentet e një lokali në pronësi të shtetasit L.F. për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Gjatë ushtrimit të detyrës punonjësi e policisë kanë hasur në kundërshtimin e shtetasit N. V. (M.F), i cili është shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Mamurras. Pas sqarimit të situatës, personi është lënë i lirë.

Rreth orës 13:50, kur punonjësit e policisë kishin ndërruar turnet e shërbimit, dy vëllezërit i kanë dalë përpara punonjësve të policisë me qëllim goditjen me mjete të forta. Ndodhur para këtij fakti, punonjësi i policisë D.M. ka qëlluar me armë duke plagosur personat e sipërpërmendur.

SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka kryer veprimet hetimore të nevojshme dhe në 13.04.2021 u bë arrestimi në flagrancë i 3 shtetasve:

– GJ. (G) F., 40 vjeç, lindur e banues në Mamurras;

– N.V. (M.F.), 36 vjeç, lindur e banues në Mamurras;

– R.S. (F), 31 vjeç, lindur e banues në Mamurras.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.

Nga grupi i posaçëm hetimor u sekuestruan si provë materiale 3 gëzhoja nga arma e zjarrit në posedim të punonjësit të policisë D.M. si dhe automjeti tip “Porsche Cayen” me të cilin udhëtonin autorët e dyshuar të ngjarjes.

Gjithashtu nga tërësia e veprimeve hetimore dhe pasojat e ardhura nga përdorimi i armës së zjarrit, u bë arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë Inspektor D. M., 45 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Stacionit të Policisë Mamurras, për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

#infowebtv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu