Një fjalor i cili përmban terma rreth orientimit seksual dhe identitetit gjinor

0

Orientimi seksual ndihet si një temë tabu kur bëhet fjalë për diskutimet që hasen, qoftë në rrethin tonë shoqëror, qoftë në media.Prandaj njerëzit mundohen të tregohen të kujdesshëm në përdorimin e termave që i referohen identitetit gjinor apo orientimit seksual.

Ky fjalor ka si qëllim t’i njohë njerëzit me kuptimin e vërtetë të termave që shpesh ngatërrohen ose nuk njihen. Personat LGBTQ përdorin një larmi termash për të identifikuar veten dhe jo të gjitha janë përfshirë këtu. Megjithatë, më poshtë gjeni disa prej më të përdorurave apo ato që ndoshta do të hasni më shpesh.

Aleat – Një term i përdorur për të përshkruar dikë që mbësht aktivisht personat LGBTQ. Ky person mund të jetë ose jo, pjesë e këtij komuniteti.

Aseksual – Mungesa e një tërheqjeje seksuale ose dëshire për njerëzit e tjerë.

Bifobia – Frika dhe urrejtja, ose shqetësimi me njerëzit, të cilët duan dhe tërhiqen seksualisht nga më shumë se një gjini.

Biseksual – Një person emocionalisht dhe/ose seksualisht i tërhequr nga më shumë se një seks, gjini ose identitet gjinor, megjithëse jo domosdoshmërisht njëkohësisht, në të njëjtën mënyrë ose në të njëjtën shkallë. Ndonjëherë përdoret në shkëmbim me termin “panseksual”.

Panseksual – Përshkruan dikë që ka potencialin e tërheqjes emocionale, romantike ose seksuale ndaj njerëzve të çdo gjinie,duke iu referuar vetëm karakterit dhe jo pamjes apo gjinisë. Ndonjëherë përdoret në shkëmbim me termin “biseksual”.

Cisgjinor (Cisgender) – Një term i përdorur për të përshkruar një person, identiteti gjinor i të cilit përputhet seksin e caktuar të tij që në lindje.

Dalja haptazi (anglisht: Coming out) – Procesi në të cilin një person fillimisht njeh, pranon dhe vlerëson orientimin e tij seksual ose identitetin gjinor dhe fillon ta ndajë atë me të tjerët.

Homoseksual – Një person i cili tërhiqet emocionalisht dhe/ose seksualisht nga njerëzit e së njëjtës gjini. Burrat, gratë dhe njerëzit non-binary mund ta përdorin këtë term për të përshkruar veten e tyre.

Non-binary – Një mbiemër që përshkruan një person që nuk identifikohet ekskluzivisht si burrë apo grua. Ata mund të identifikohen si burrë dhe grua, diku në mes, ose si plotësisht jashtë këtyre kategorive. Ndërsa shumë identifikohen gjithashtu si transgjinorë, jo të gjithë njerëzit non-binary janë të tillë.

Disforia gjinore – Ankthi dhe stresi klinik i shkaktuar kur gjinia në lindje e një personi, pra seksi, nuk është i njëjtë me atë me të cilën ai identifikohet.

Shtrirja-gjinore – Një person me një gamë më të gjerë, më fleksibël të identitetit dhe/ose shprehjes gjinore. Shpesh përdoret si term kur u referohemi të rinjve që janë duke eksploruar mundësitë e shprehjes së tyre gjinore dhe/ose identitetit gjinor.

Shprehja-gjinore (anglisht: Gender expression) – Pamja e jashtme e identitetit gjinor të dikujt, e shprehur zakonisht përmes sjelljes, veshjes, karakteristikave të trupit ose zërit, dhe që mund të jetë ose jo në përputhje me sjelljet dhe karakteristikat e përcaktuara gjerësisht nga shoqëria, të lidhura zakonisht me të qenit “mashkullor” ose “femëror”.

Gender-fluid – Një person i cili nuk identifikohet me një gjini të vetme fikse ose ka një identitet të paqartë.

Identiteti gjinor – Si individët e perceptojnë ose e quajnë veten. Identiteti gjinor i dikujt mund të jetë i njëjtë ose i ndryshëm nga seksi i caktuar në lindje.

Gjinia jo-konform – Ky term i gjerë i referohet njerëzve që nuk sillen në një mënyrë që përputhet me pritjet tradicionale të gjinisë së tyre, ose shprehja gjinore e të cilëve nuk përshtatet mirë në një kategori. Shumë prej tyre identifikohen gjithashtu si transgjinorë, por jo të gjithë.

Queer – Një term që njerëzit shpesh e përdorin për të shprehur një spektër identitetesh dhe orientimesh që janë në kundërshtim me rrjedhën e zakonshme. Queer shpesh përdoret si term për të përfshirë shumë njerëz, bashkë me ata që nuk identifikohen si “eksluzivisht heteroseksual”. Termi më parë përdorej si ofendim, por kjo është rikuperuar nga aktivistë të LGBTQ.

Genderqueer – Njerëzit “genderqueer” hedhin poshtë nocionet e kategorive statike të gjinisë dhe përqafojnë një rrjedhshmëri të identitetit gjinor dhe shpesh, megjithëse jo gjithmonë, të orientimit seksual. Njerëzit që identifikohen kështu, mund ta shohin veten e tyre edhe si mashkull, edhe si femër, edhe si asnjëra.

Tranzicioni gjinor – Një procesi që i nënshtrohen transgjinorët për të përputhur më shumë identitetin e tyre gjinor me pamjen e tyre të jashtme. Kjo mund të përfshijë ndryshimin e rrobave, emrave ose përemrave për t’iu përshtatur identitetit të tyre gjinor. Mund të përfshijë gjithashtu nevoja të kujdesit shëndetësor siç janë hormonet ose operacionet.

Homofobia – Frika dhe urrejtja, ose shqetësimi me njerëzit që tërhiqen nga njerëzit e të njëjtit seks.

Interseks – Njerëzit intereksualë lindin me një larmi ndryshimesh në tiparet e tyre seksuale dhe anatominë riprodhuese. Ekziston një larmi e madhe e ndryshimit midis variacioneve interseksuale, duke përfshirë ndryshimet në organet gjenitale, kromozomet, gonadet, organet e brendshme të seksit, prodhimin e hormoneve, reagimin e hormoneve dhe/ose tiparet sekondare të seksit.

Lesbike – Një grua që tërhiqet emocionalisht dhe/ose seksualisht nga gratë e tjera. Gratë dhe njerëzit non-binary mund ta përdorin këtë term për të përshkruar veten e tyre.

LGBTQ – Një akronim për “lezbike, homoseksuale (gay), biseksuale, transgjinore dhe queer”.

Ekspozimi (anglisht: Outing) – Ekspozimi i identitetit lesbike, homoseksual, transeksual, biseksual etj të dikujt përpara të tjerëve, pa lejen e tyre. Kjo mund të ketë pasoja serioze mbi punësimin, stabilitetin ekonomik, sigurinë personale ose situatat fetare ose familjare.

‘Ende pikëpyetje’ (anglisht: Questioning) – Një term i përdorur për të përshkruar njerëzit që janë në proces të eksplorimit të orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor.

Dashuri mes të njëjtës gjini – Një term që disa preferojnë ta përdorin në vend të fjalëve: lesbike, homoseksual, biseksual, për të shprehur tërheqjen dhe dashurinë ndaj njerëzve të së njëjtës gjini.

Seksi i caktuar në lindje – Seksi (mashkull apo femër) që i jepet një fëmije gjatë lindjes, bazuar në anatominë e jashtme të fëmijës.

Orientimi seksual – Një tërheqje e qenësishme ose e pandryshueshme emocionale, romantike ose seksuale ndaj njerëzve të tjerë. Orientimi seksual i një individi është i pavarur nga identiteti i tij gjinor.

Transgjinor – Një term për njerëzit, identiteti gjinor dhe/ose të shprehurit e të cilëve është e ndryshme nga pritjet kulturore bazuar në seksin që u është caktuar në lindje.

*Disa terma janë lënë në anglisht dhe të tjerave u është vendosur termi në të dyja gjuhët, sepse në disa raste duken të paqartë ose u humbet kuptimi gjatë përkthimit.

 

Burimi : Anabel

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu