Një grua vritet me thikë nga motra, dëshmia e mësueses: Ishte e alkoolizuar, e qëllova për vetëmbrojtje

0

Marsela Pushani, e cila i mori jetën motrës së saj Amandës, e konsideron ngjarjen si aksidentale. Gjatë dëshmisë në polici, 40-vjeçarja ka rrëfyer momentet e sherrit, duke thënë se ishte viktima e para që e kërcënoi me thikë dhe gjatë përleshjes ia hoqi nga duart. Ajo pretendon e goditi me thikë të motrën në sherr e sipër, por pa e kuptuar veprimin që kreu.

“Nuk doja të vrisja motrën, veprova në kushtet e vetëmbrojtjes. Prej më shumë se 10 vitesh ishte e alkoolizuar dhe problematike. Patëm debat pasi i kërkonim që të linte alkoolin. Amanda mori thikën dhe na më kërcënoi mua dhe mamanë se do të na vriste. Situata u tensionua dhe ia mora thikën nga dora dhe e godita aksidentalisht”, tha ajo.

Bashkë me të ëmën, Marsela tregon gjithashtu se Amanda shkoi në shtëpi në gjendje të dehur pasi kishte qëndruar natën e të premtes jashtë dhe me vete kishte disa shishe birre. Në këtë moment mësohet se ka nisur konflikti pasi ajo dhe nëna i kanë kërkuar llogari pse vijonte të pinte pasi kishin rënë dakord që do hiqte dorë.

“Dy motrat Pushani dhe nëna e tyre jetonin prej shumë vitesh në këtë banesë në rrugën “Hajdar Hidi”. Konfliktet mes autores dhe viktimës gjatë kohëve të fundit ishin kthyer të shpeshta”, raportoi gazetari Besar Bajraktaraj.

Të dhënat e policisë tregojnë se 37-vjeçarja që mbeti viktimë, ishte kthyer në shqetësim edhe për marketet e lagjes. Mësohet se ajo shkonte në gjendje të dehur dhe kërcënonte shitësit për t’i dhënë pije pasi përndryshe do t’iu thyente dyqanet.

Krimi i rëndë që ndodhi paraditen e të shtunës fillimisht u dyshua si vdekje natyrale, por më pas autopsia zbuloi se 37-vjeçarja kishte plagë të shkaktuara nga goditja me thikë.

Ishte nëna e dy motrave që lajmëroi ambulancën, por bluzat e bardha e konstatuan Amanda Pushanin pa shenja jete. Fillimisht vrasja u mohua nga Marsela Pushani, por më pas u pranua prej saj. Policia i vuri pranga autores së krimit 13 orë pas ngjarjes.

Fqinjët e familjes Pushani jashtë kamerave shprehen se nuk i njihnin shumë.

Marsela Pushani, me profesion mësuese, ishte e punësuar në shkollë private. Pas vdekjes së kryefamiljarit 5 vite më parë, në familjen Pushani, ajo ishte e vetmja që punonte. Amanda Pushani që humbi jetën nga dora e të motrës, u vra dy ditë para ditëlindjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu