Një “përbindësh metali” shumë larg përfundimit/ Fatura e ‘Velierës’ rritet me 2.5 miliardë lekë, kostot shtohen vit pas viti

0

Rikthehet edhe njëherë në vëmendjen e opinionit publik, Veliera e Durrësit. E trumbetuar shumë nga qeveria Rama dhe e mbrojtur nga arkitektët italianë, investimi prej afro 6 milionë dollarësh, nisi në vitin 2017 por teksa po i drejtohemi fundit të vitit 2021, ende ky projekt është larg përfundimit. Mirëpo fatura e këtij projekti rëndohet edhe më shumë pasi ditën e djeshme, bashkia e Durrësit ka hapur procedurat e tenderit me vlerë prej 2.5 miliardë lekësh të vjetra për fazën e katërt të sheshit publik para hyrjes së portit të Durrësit. Kjo pritet të zgjasë plotë një vit.

Ndërsa qëndron si një përbindësh metali, në zonën arkeologjike të qytetit të Durrësit, Veliera, jo vetëm që është larg përfundimit, por kosot e saj vetëm janë shtuar vit pas viti.

Në fillim financimi i projektit, është bërë një pjesë nga bashkia dhe pjesa tjetër nga qeveria. Ndërkohë që dy vitet e fundit, fondet janë siguruar vetëm nga bashkia. Rreth një vit më parë, “Veliera” rrëmbeu rreth 850 milion lekë me qytetin bregdetar që sapo kishte dalë nga lëkundja sizmike dhe qytetarët që përjetonin ende makthe. Megjithatë fatura e këtij viti është mjaft e kripur.

Fax News, ka siguruar dokumentin zyrtar, ku bashkia Durrës, specifikon se shuma e parave do të përdoret për mbulimin përfundimtar të tendës, për realizimin e veshjes së sipërme të kësaj strukture metalike.

Ajo cfarë duhet të theksohet është se kjo shumë parash po jepet në një moment kur shumë qytetarë kanë mbetur jashtë shtëpive të tyre që prej tërmetit të vitit 2019.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu