Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku një person është gjetur pothuajse i djegur plotësisht në një ambient të përshtatur si banesë, në katin e parë të një pallati.
Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse është bërë pasi banorët e pallatit kanë sinjalizuar praninë e erës së djegies dhe tymit. Zjarrfikësit kanë hapur me forcë qepenin e ambientit, ku kanë gjetur një person të seksit mashkull në gjendje të rëndë shëndetësore, pothuajse të djegur dhe në koma.
Ndërkohë, për rreth një orë, energjia elektrike është ndërprerë në një pjesë të bllokut të banimit në lagjen “5 Maj”, si masë sigurie.
Elbasan / Informacion paraprak
Në lagjen “Luigj Gurakuqi”, shtetasi E. A., 66 vjeç, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike në banesën e tij dhe, si pasojë, ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.





