Një tjetër sukses i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare vjen nga qyteti i Cërrikut, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes për arritje akademike të nivelit të lartë.
Nxënësi Loris Qosja ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm, duke u renditur i pari në botë në Olimpiadën e Matematikës dhe duke fituar gjithashtu vendin e tretë në Olimpiadën e Kimisë, për nxënësit e klasave të 9-ta. Ky sukses përbën një arritje të rrallë, e cila tejkalon kufijtë lokalë dhe dëshmon potencialin e lartë të të rinjve shqiptarë në konkurset ndërkombëtare të dijes.
Rezultati i arritur është fryt i talentit, punës së palodhur dhe përkushtimit të vazhdueshëm të nxënësit, si edhe i punës profesionale dhe mbështetjes së mësueses Flutura, e cila ka luajtur një rol kyç në përgatitjen dhe orientimin e tij drejt këtij suksesi.
Sot, kjo arritje është burim krenarie për familjen, shkollën, qytetin e Cërrikut dhe për gjithë Shqipërinë, duke shërbyer njëkohësisht si shembull frymëzues për brezat e rinj.





