VIDEO/Punimet e ujësjellësit mbajnë “peng” Elbasanin, koston e vuajnë qytetarët

0
Screenshot

Viti 2026 e gjen qytetin e Elbasanit me një infrastrukturë të amortizuar. Thuajse në çdo lagje shihen rrugë të qepura dhe të shqepura si pasojë e investimeve të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve. Edhe pse afatet përfunduan në dhjetor të 2025-ës, mësohet se firma kontraktuese ka kërkuar shtyrje. Padyshim që koston e gjithë kësaj situate e vuajnë qytetarët elbasanas.

Në dhjetor 2023, kur në Elbasan u vendosën gurët e parë të punimeve për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve, situata ishte optimiste. Asokohe u zotua se 49 mijë qytetarë të Elbasanit do të furnizoheshin me ujë 24 orë në ditë. Investimi prej dhjetëra milionë eurosh u paraqit si një hap historik drejt modernizimit të shërbimeve bazë. Por sot, më shumë se dy vite më vonë, Elbasani duket më shumë si një kantier i përjetshëm ndërtimi sesa një qytet që duhet të lulëzojë zhvillimi dhe turizmi.

Burime pranë Bashkisë Elbasan pohojnë se firma e cila ka kryer punimet ka kërkuar zgjatje të tyre. Një situatë e tillë ka revoltuar në masë qytetarët. Ndërkohë, këshilltari i opozitës në Këshillin Bashkiak, Ergys Muzhaqi, njofton në rrjetin e tij social Facebook se ka bërë një kërkesë për interpelancë në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak me përfaqësues të Ujësjellësit e Bashkisë Elbasan, si dhe të firmës që kryen punimet në rrjetin e ujit të pijshëm në qytet. Në vijim të reagimit, Muzhaqi pohon se kjo është një situatë skandaloze prej më shumë se një viti e gjysmë, të cilën elbasanllinjtë nuk e meritojnë!