7 persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga një sulm me armë në një sinagogë në qendër të Vjenës. Policia vendase njoftoi se kanë qenë të paktën 2 persona që kanë hyrë në sinagogë dhe kanë hapur zjarr.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, por atentatorët i janë përgjigjur me armë duke lënë të vrarë një polic. Nga burime zyrtare mësohet se forcat e rendit kanë arritur të ekzekutojnë njërin prej autorëve ndërsa një person tjetër është arrestuar.
Dëshmitarë okularë i thanë lapsi.al se në zonë janë dëgjuar edhe shpërthime eksplozivi. Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer tha se bëhet fjalë për një sulm të koordinuar nga më shumë se një person.
Sipas medieve lokale gjatë sulmit u morën edhe disa pengje në një restorant në rrugën “Mariahilfer Strasse” në zemër të qendrës historike të Vjenës. Policia po zhvillon një operacion masiv në zonë.
Forcat e rendit kanë kërkuar që banorët të qëndrojnë brenda në shtëpi. Në ajër dëgjohen të fluturojnë helikopterë duke krijuar një situatë terrori në kryeqendrën austriake.