Pa energji prej dy javësh, banorët e lagjes “Skënderbej” në Elbasan dalin në protestë

0

Rreth 300 banorë të lagjes “Skënderbej” në Elbasan janë ngritur në protestë këtë të martë, pas mungesës së energjisë elektrike prej afro dy javësh. Të revoltuar nga situata e zgjatur, ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse, duke theksuar se po përballen me kushte tepër të vështira jetese.

Sipas banorëve, pas ankesave dhe interesimit pranë OSHEE, u është komunikuar se ndërprerja e energjisë lidhet me punimet në rrjet dhe se problematika pritet të vazhdojë të paktën deri më 4 maj. Kjo përgjigje ka shtuar pakënaqësinë e komunitetit, i cili shprehet se një situatë e tillë nuk mund të lihet pa zgjidhje për një periudhë kaq të gjatë.

Mungesa e energjisë ka sjellë pasoja serioze në jetën e përditshme të banorëve, të cilët prej ditësh jetojnë jo vetëm pa drita, por edhe pa ujë, duke e bërë të vështirë përmbushjen e nevojave bazë. Situata është veçanërisht shqetësuese për familjet me fëmijë dhe të moshuar, ku nevoja për energji elektrike është jetike.

Probleme të mëdha po hasin edhe bizneset e zonës. Tregtarët shprehen se frigoriferët dhe pajisjet e tjera mbahen të fikura gjatë ditës, duke rrezikuar prishjen e produkteve ushqimore dhe humbje ekonomike të konsiderueshme.

Nga ana tjetër, amvisat tregojnë se mungesa e energjisë ka vështirësuar ruajtjen e higjienës dhe gatimin, duke e kthyer përditshmërinë në një sfidë të vazhdueshme. Banorët nënvizojnë se lagjja ka pasur edhe më herët probleme me stakimet e energjisë, por sipas tyre, kjo situatë e fundit mund dhe duhej të ishte menaxhuar ndryshe nga institucionet përgjegjëse.

Banorët paralajmërojnë se nëse situata nuk merr zgjidhje të shpejtë, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar rikthimin normal të furnizimit me energji dhe transparencë nga OSHEE për afatet reale të punimeve.