as protestës së banorëve të lagjes “Skënderbej” në Elbasan për mungesën e energjisë elektrike prej dy javësh, ka ardhur edhe reagimi zyrtar lidhur me situatën e krijuar.
Sipas sqarimit, stakimi i fiderit nr. 7 në nënstacionin “Kombinati i Drurit” ka ardhur si pasojë e kërkesës së OST-së për ndërtimin dhe shtrirjen e përcjellësve të linjës së interkonjeksionit Bitola–Elbasan–Fier, një projekt strategjik për zgjerimin e linjave të interkonjeksionit të sistemit energjetik shqiptar.
Burimet bëjnë me dije se nga ana e OSSH-së po merren masa që dy kabinat që furnizojnë zonën e Fushëmbretit të rikthehen në funksion, pasi aktualisht punimet janë zhvendosur pranë lumit Shkumbin. Sipas të njëjtave burime, ndërprerjet e energjisë do të jenë vetëm për intervale të shkurtra, të nevojshme për kryerjen e manovrimeve teknike.
Megjithatë, stakimet pritet të vazhdojnë edhe për 6 ditë të tjera, ndërsa kontraktorit i është kërkuar nga OST që të intensifikojë punimet për të përfunduar sa më shpejt ndërhyrjen në terren.
Ky reagim vjen pasi dhjetëra banorë dolën në protestë, duke denoncuar mungesën e energjisë dhe vështirësitë që po përballojnë prej ditësh, ndërsa tashmë mbetet për t’u parë nëse afati i premtuar për rikthimin e normalitetit do të respektohet.





