Pas Elbasanit, i vihet flaka edhe landfillit të Fierit! Policia i merr në mbrojtje

0

Një zjarr ka rënë te pika e grumbullimit të plehrave pranë inceneratorit të Elbasanit. 2 forca zjarrfikëse po punojnë për të shuar flakët, të cilat janë përhapur edhe më shumë gjatë mbrëmjes për shkak të erës dhe temperaturave të larta. Si pasojë e zjarrit një re e zezë tymi është ngritur në ajër.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se për të vënë nën kontroll flakët në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane janë nisur 20 efektivë të BMEC-së dhe 5 mjete të cilat u kanë shkuar në ndihmë zjarrfikësve të Elbasanit, me qëllim frenimin e përhapjes së vatrës së zjarrit.

Por pas fushës së grumbullimit të mbetjeve në Elbasan, është tentuar t’i vihet flaka edhe landfillit të Fierit.

Kryetari i bashkisë se Fierit Armando Subashi tha se i është venë flaka fushës së grumbullimit të mbetjeve, por është fikur në kohë.

Në lidhje me këtë rast, ministri i Brendshëm Taulant Balla është shprehur se ka urdhëruar Policinë e Shtetit të rrisë sigurinë pranë landfilleve në të gjithë vendin.

Ai është shprehur se i ka kërkuar policisë bashkiake të krijojë shërbim 24 orë kontrolli dhe zjarrfikëse që të jenë pranë për çdo lloj rasti. Policia ka dyshime që qofte zjarri në Elbasan, qoftë tentativa në Fier janë të qëllimshme.

‘Kam urdheruar Policinë e Shtetit të rrisë sigurinë pranë landfieldëve – fushave të mbetjeve në të gjithë vendin. Kam kërkuar që edhe policitë bashkiake të krijojnë shërbim 24 orë kontrolli dhe shërbimet zjarrëfikëse të jenë pranë për të parandaluar çdo zjarrvënie.Policia e Shtetit ka dyshime që qoftë zjarri në Elbasan, qoftë tentativa në Fier janë të qellimshme.’- është shprehur Balla.

Në lidhje me zjarrin e mbetjeve në fushën e grumbullimit pranë inceneratorit të Elbasanit, ka reaguar edhe deputetja e PD-së Zheni Gjergji. Gjergji thotë se ngjarja është kriminale e se përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë.

‘E paimagjinueshme ajo që po ndodh në fushën e mbetjeve pranë Inceneratorit të Elbasanit. Shpenzuan miliona euro për ndërtimin e Inceneratorit, një vepër monument i korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës, që është më shumë jashtë funksionit, sesa në shërbim të qytetarëve. Sot kanë kaluar çdo limit, duke kryer një akt kriminal, të djegies me paramendim të mbetjeve në fushë të hapur, duke i shkaktuar qytetit një bombë mjedisore, në dëm të jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Si deputete dhe qytetare e Elbasanit i bëj thirrje autoriteteve të marrin masat menjëherë për të izoluar pasojat, si dhe për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë personat përgjegjës. Mali me mbetje që mbahen në pritje të vënies në punë të Inceneratorit, janë një rrezik permanent për shëndetin e qytetarëve. Sot ky rrezik u bë fakt, duke i shkaktuar një tjetër ndotje me pasoja të rënda për qytetin. Kjo kërkon përgjegjës dhe përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë!’- shkruan ajo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu