Pasaportat e arta, BE kundër shitjes së shtetësisë shqiptare

0

Bashkimi Europian i kërkon qeverisë shqiptare të heqë dorë nga projekti për të shitur shtetësinë shqiptare. Opozita këmbëngul se aplikimi i kësaj skeme do të cenoje sigurinë kombëtare, ndërsa ekspertët e pavarur të ekonomisë mendojnë se kjo skemë mund të shfrytëzohet nga investitorët e tregut imobiliar në Shqipëri e në këtë mënyrë buxheti i shtetit do të përfitojë shumë pak nga investimi, sepse pjesa më e madhe do të shkojë në xhepin e privatit.

Autor: Zylyftar BREGU

Në nëntor të vitit 2019, kryeministri Edi Rama prezantoi përpara elitës londineze projektin “Shtetësi nëpërmjet investimit”. Gjatë Konferencës Botërore për Nënshtetësinë, në Londër, Rama iu kujtoi të pranishmëve se Shqipëria është vend kandidat për në BE, ndërsa iu premtoi përjashtim nga taksat për një periudhë 10-vjeçare dhe mjaft lehtësi të tjera, fiskale.

Krahas tij, në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryeministri malazez, Duško Marković, i cili premtoi se Mali i Zi ofronte 2 mijë “pasaporta të arta”.

I vetëdijshëm për debatet që e shoqërojnë këtë program, Rama deklaroi: “Unë besoj fuqimisht se kjo është mënyra e duhur dhe se kjo është ajo që ne duhet të bëjmë. Sigurisht, ka rreziqe, por ne nuk mund t`i mohojmë vendit tonë dhe së ardhmes sonë potencialin e jashtëzakonshëm të këtij programi”.

Tre vite më pas Shqipëria ka hedhur hapa të vegjël në këtë drejtim. Ndërsa Mali i Zi nisi shitjen e pasaportave të arta në vitin 2020, Shqipëria ende po e mendon. Në vitin 2020 është miratuar një Ligj i ri “Për Shtetësinë” dhe në vitin 2022 janë miratuar 2 vendime që përcaktojnë kriteret për fitimin e shtetësisë shqiptare për kontributin e dhënë në fushën e arsimit, shkencës, sportit, artit dhe kulturës, por ende nuk i është dhënë drita jeshile shitjes së shtetësisë për investime.

Programi “Shtetësi nëpërmjet investimit” ka alarmuar BE-në, i cili kërkon anulimin e tij. Parlamenti Europian në mes të majit 2022 në Rezolutën për Ecurinë e Reformave në Shqipëri, pika 32, kërkon: “Të hiqet dorë nga skema “Shtetësi për investim”, e cila mund të përbëjë rrezik serioz për sigurinë, pastrimin e parave, korrupsionin dhe evazionin fiskal”.

Dy javë pas publikimit të rezolutës, Komisionin Europian i drejtohet me shkresë ministrit të Brendshëm dhe i kërkon sërish ndërprerjen e menjëhershme të skemës “Shtetësi nëpërmjet investimit”. Por, një muaj pas dorëzimit të letrës, zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë konfirmon se nuk ka marrë asnjë reagim nga ministri i Brendshëm shqiptar në lidhje me këtë kërkesë.

Paralajmërimi i KE: Do t’ju ndëshkojmë!

“Dëshironim të përsëritnim shqetësimin tonë për perspektivat e krijimit nga Shqipëria të një programi të veçantë për fitimin e shtetësisë nëpërmjet investimeve dhe hapat e fundit, të ndërmarra nga qeveria juaj për të vazhduar me zbatimin e një skeme të tillë”.

Nis kështu letra e Komisionit Europian, që mban datën 30 maj të këtij viti. KE shpreh shqetësimin për këtë nismë, duke e vendosur në “shtratin” e zhvillimeve të fundit të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Siç shkruhet në këtë letër, nisur nga këto zhvillime, më 28 mars të këtij viti, Komisioni Europian i ka rekomanduar edhe vendeve anëtare të BE-së, që aplikojnë skemën e përfitimit të shtetësisë nëpërmjet investimeve, që t`i mbyllin menjëherë, madje të nisin hetimet edhe për “investitorët”, që kishin përfituar shtetësitë përkatëse.

“Komisioni nxiti shtetet anëtare të kryenin një vlerësim për të përcaktuar nëse shtetësia, e dhënë më parë për shtetasit rusë ose bjellorusë, që i nënshtrohen sanksioneve ose që mbështesin ndjeshëm luftën në Ukrainë, duhet t’iu hiqet, duke revokuar vendimin e dhënies së saj”, – shkruhet në letër.

Më pas në letër Komisioni Europian i kujton ministrit të Brendshëm se prej kohësh i ka kërkuar Shqipërisë tërheqjen nga kjo nismë. Qëndrimi i prerë kundër nismës së Shqipërisë për të shitur pasaportën e saj, i është paraqitur qeverisë dhe parlamentit, që në kohën kur Ligji “Për shtetësinë” ishte ende projekt (tetor 2019). Në atë kohë Komisioni paralajmëroi Tiranën zyrtare për rreziqet e qenësishme dhe pasojat e mundshme, por qeveria e miratoi ligjin në vitin 2020, duke “injoruar” edhe qëndrimin e Presidentit të Republikës, që nuk e dekretoi.

Në letrën drejtuar ministrit të Brendshëm nënvizohen rekomandimet e qarta të raporteve vjetore për Shqipërinë, si për vitin 2020, edhe për vitin 2021, për të mos e vijuar më tej këtë projekt. Komisioni Europian shprehet se njeh sovranitetin e Shqipërisë për të vendosur mbi procedurat e natyralizimit, por shton se “skema e shtetësisë nëpërmjet investimeve mund të paraqesë rreziqe sigurie për BE-në dhe shtetet e tij anëtare, të cilat nuk janë në përputhje me parimet dhe kushtet në bazë të përjashtimit të vizave”.

Katër janë rreziqet që renditen në letër: Infiltrimi i krimit të organizuar; Pastrimi i parave; Evazioni fiskal dhe Korrupsioni.

“Rreziqet për BE-në dhe shtetet anëtare janë veçanërisht shqetësuese në kuadër të skemave të shtetësisë nëpërmjet investimeve të zhvilluara nga shtetet kandidate dhe potencialisht kandidate, që në të ardhmen përfituesit nëpërmjet këtyre skemave mund të fitojnë shtetësinë e BE-së”.

“Komisioni paralajmëron se “do të ndërmarrë veprime të forta kundrejt skemave të shtetësisë nëpërmjet investimeve brenda dhe jashtë BE-së, të cilat i konsideron në shkelje me ligjet e BE-së”.

Bashkimi Europian ka një precedent në këtë aspekt. Më 3 mars të këtij viti BE hoqi në mënyrë të pjesshme të drejtën e lëvizjes pa vizë në zonën Schengen të shtetasve të ishullit Vanuatu (ishull në Oqeanin Paqësor në lindje të Australisë dhe në perëndim të Fiji-t). Të gjithë qytetarët e këtij shteti, që kishin pasaportë të lëshuar pas datës 25 maj 2015, që është edhe data kur ka nisur skema e shtetësisë mbi bazë investimin, nuk lejohen të hyjnë pa viza në vendet e BE-së.

Zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë, në përgjigje të interesit të INA MEDIA-s, nëse ka marrë ndonjë përgjigje pas letrës së dorëzuar, konfirmoi se nuk ka marrë asnjë reagim.

Në përgjigje të pyetjes për motivet dhe arsyet që e detyrojnë BE-në të këmbëngulë të hiqet dorë nga kjo skemë, Zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë sqaroi se “Komisioni Europian ka miratuar një raport në vitin 2019, sipas të cilit skema e shtetësisë së investitorëve në vendet e treta me akses pa viza në BE mund të përdoret për të anashkaluar procedurën e rregullt të vizave për qëndrim të shkurtër në BE”.

 

“Shtetësi nëpërmjet investimit” ose pasaportat e arta

Deri në korrik të vitit 2020 ligji njihte vetëm Presidentin e Republikës si institucionin e vetëm që kishte të drejtë për të dhënë shtetësinë shqiptare për të gjithë shtetasit e huaj. Procedura ishte e gjatë dhe kalonte nëpër filtra të mjaft institucioneve të zbatimit të ligjit.

Neni 9 i Ligjit të ri për Shtetësinë mban emërtimin “Rastet e veçanta të fitimit të shtetësisë shqiptare”. Sipas këtij neni, shtetësia shqiptare mund të fitohet nga shtetasi i huaj, që ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, kur nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, dhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.

Në pikën dy të këtij neni shkruhet: “Për hartimin e programeve të veçanta, përcaktimin e rregullave specifike të kontrollit të veçantë të sigurisë dhe pastërtisë së figurës në standardet më të larta dhe monitorimin e zbatimit të tyre, krijohet një agjenci e posaçme, shtetërore në varësi të ministrit. Organizimi dhe funksionimi i agjencisë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Ndërsa pika 3 përcakton se kriteret për fitimin e shtetësisë, sipas programeve të veçanta, procedurat e aplikimit, rregullat e kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkë-propozim të ministrit dhe ministrave përgjegjës, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.

Për Ervin Salianjin, deputetin e Partisë Demokratike, anëtar i Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare, ligji është miratuar qëllimisht gjatë kohës që opozita nuk ka qenë në parlament. Sipas tij, skema e shtetësisë mbi bazë investimin cenon sigurinë kombëtare dhe e kthen Shqipërinë në një vend për pastrimin e parave.

Indianët, a mund të përsëritet historia

Më shumë se tre vite më parë, institucionet shqiptare u përfshinë në një skandal, pasi Presidenti i Republikës pajisi me pasaportë shqiptare dy vëllezërit indianë, Nitin Jayantilal Sandesara dhe Chetankumar Jayantilal Sandesara. Vëllezërit ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar për evazion fiskal, ndërkohë që në Shqipëri kishin ardhur me statusin e investitorit. Madje, njëri prej tyre, Nitin Sandesara, paralelisht me procedurën e pajisjes me pasaportë shqiptare kishte marrë edhe statusin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri nga Ministria e Jashtme shqiptare.

Por, në një deklaratë për shtyp zëdhënësi i presidentit ia kaloi përgjegjësinë ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, duke thënë “Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7 të nenit 9 të Ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, “për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme, elitare në vendin tonë”.

Presidenti deklaroi se kishte bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese, nga e cila nuk kishin rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare.

Prokuroria e Tiranës nisi një hetim në lidhje me procedurën se si arritën të merrnin pasaportë shqiptare vëllezërit indianë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, por hetimet janë pushuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu