Prenë dru zjarri në Parkun Kombëtar, arrestohet një person në Librazhd, shpallet në kërkim një 16-vjeçar

0

Prenë dru zjarri në parqet kombëtare ‘Shebenik’ dhe ‘Gavadec’, arrestohet një person, shpallet në kërkim një 16-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd, në vijim të kontrolleve gjatë ditës dhe natës, me fokus parandalimin, konstatimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, në bashkëpunim me inspektorët për mbrojtjen e pyjeve, kanë evidentuar dhe goditur disa raste të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Për to, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. B., 58 vjeç dhe u shpall në kërkim një 16-vjeçar, të dy banues në fshatin Rrajcë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, gjatë muajve mars dhe prill 2024, kanë prerë dru për zjarr, në zonat e mbrojtura të parqeve “Shebenik” dhe “Gavadec”.

Gjatë kontrolleve në banesën e shtetasit Sh. B., u gjet lëndë drusore, e dyshuar e përfituar në kundërshtim me ligjin.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, kryer në bashkëpunim.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit: si prerje të paligjshme të drurëve, ndërtime pa leje, marrje të kundërligjshme të inerteve, shpërdorim të tokës, ndotje të saj, të ujërave apo të ajrit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë 24/7, dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu