Cërrik, 8 Nëntor 2024 – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Bashkinë Cërrik, ku u takua me drejtuesit lokalë dhe përfaqësues të komunitetit. Qëllimi i vizitës ishte theksimi i rëndësisë së sektorit bujqësor në ekonominë e zonës dhe mbështetja e mëtejshme për zhvillimin e tij.
Gjatë takimeve me sipërmarrës dhe fermerë, Presidenti Begaj vuri theksin te rëndësia e përkushtimit ndaj tokës dhe mbështetjes së investimeve të fermerëve shqiptarë, duke u shprehur se prodhimet e tyre kanë potencial për të përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në Evropë dhe botë. “Njerëzit që e duan tokën dhe punojnë fort, kanë mundësinë që investimet e tyre t’i realizojnë në Shqipëri, duke përcjellë për Evropën dhe botën emrin e mirë të prodhimeve shqiptare,” deklaroi Presidenti.
Gjatë vizitës, Kreu i Shtetit përgëzoi kryebashkiakun e Cërrikut, Andis Salla, për nismat në ndihmë të fermerëve, realizuar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, kryesisht ata gjermanë. Një ndër projektet kryesore ishte hapja e pikës frigoriferike për grumbullimin e prodhimeve bujqësore nga fshatrat përreth, një hap i rëndësishëm që lehtëson procesin e ruajtjes dhe shpërndarjes së produkteve vendase.
Presidenti Begaj vizitoi gjithashtu shkollën profesionale “Mihal Shahini”, ku nxiti studentët e profileve bujqësore, veterinare dhe teknologjisë ushqimore të kontribuojnë në zhvillimin e sektorit bujqësor me përkushtim, duke ruajtur dhe promovuar farërat autoktone shqiptare. “Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm pas turizmit dhe kërkon vëmendje të merituar,” theksoi Presidenti Begaj.
Vizita e tij përfshiu edhe kantinën e verës “Sulova”, ku ai vlerësoi angazhimin për ruajtjen e cilësisë, me synimin që produktet shqiptare të bëhen konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Në përfundim të vizitës, Presidenti Begaj zhvilloi një takim frymëzues me kampionët ndërkombëtarë të shtangës nga Cërriku, Briken Calja dhe Ertian Kofsha, së bashku me trajnerin Leonard Toska. “Është e jashtëzakonshme që ky vend i vogël të nxjerrë kampionë të mëdhenj,” tha Presidenti, duke vlerësuar përpjekjet dhe sukseset e tyre, të cilat kanë kontribuar në promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të sportit.