Presidenti Meta/ 76 vjet nga krijimi i Shkollës Ushtarake “Skënderbej”

0

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përkujton themelimin e shkollës Ushtarake Skënderbej, e cila fillimisht u hap si Shkolla e Pionerëve të Luftës.

Themelimi i kësaj shkolle u bë më 28 mars 1945.

Presidenti thotë se mbi 36 mijë shqiptarë u arsimuan në këtë shkollë.

Reagimi:

Si sot, 76 vjet më parë, më 28 mars 1945 , çeli për herë të parë portat e saj një institucion tepër prestigjoz e dinjitoz i arsimit dhe i edukimit të profesionistëve të ardhshëm të Forcave tona të Armatosura dhe e talenteve të jashtëzakonshëm në art, kulturë e veçanërisht në sport: Shkolla e Pionerëve të Luftës, që më pas u quajt, Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”.

Me emrin e Kryeheroit tonë, ky institucion, për dekada me radhë u shndërrua në simbolin e nderit, të krenarisë dhe të dinjitetit të ushtrisë shqiptare, ku mbi 36 mijë të rinj u rritën, u edukuan dhe u brumosën me cilësitë e virtytet më të larta patriotike dhe njerëzore, për të spikatur në të gjitha fushat.

Ndaj sot është dita për t’ju shprehur mirënjohjen, falënderimet dhe respektin më të thellë të gjithë “Begsave”, për kontributin e çmuar të dhënë për ngritjen, konsolidimin e modernizimin e institucioneve tona të sigurisë kombëtare e deri për ndihmesën e vyer të dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO; për ndërtimin e veprave më të mëdha publike, nga ato hidro-energjitike me në krye Fierzën, tek rrugët e hekurudhat; për zhvillimin e shkencës, artit e kulturës shqiptare; si dhe për rezultatet e shkëlqyera sportive që ngritën lart flamurin kuqezi në arenat ndërkombëtare duke na kanë bërë krenarë të gjithëve.

Në nderim të kësaj ngjarje të shënuar, që përkujtojmë sot, pata privilegjin të vlerësoj Shoqatën Kombëtare “Skënderbegasi”, si dhe disa prej themeluesve, mësuesve e kuadrove të dala nga kjo Shkollë, Petrit Murzaku, Thoma Kromidha, Kristaq Çito, Qirjako Dhima, Sherif Çiçiku, Mëno Dedaj, Shpendi Topollaj e Arta Raveli, të cilët me veprimtarinë e tyre jetësore kanë dhënë ndihmesë të vyer për transformimin e ushtrisë dhe zhvillimin cilësor të fushave ku kontribuan pas studimeve.

Të edukuar me ndjenjat më të larta të atdhedashurisë, Skënderbegasit ishin dhe mbeten të parët në çdo shërbim dhe sakrificë për zhvillimin, demokratizimin dhe mbrojtjen e Shqipërisë, duke spikatur edhe sot me besnikërinë e tyre ndaj Atdheut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu