Rrëfimi i pazakontë i varrmihësit Sadik Merja që tregon tmerrin e vitit të Covid-it: Ndonjëherë qajmë edhe ne!

0

Kryeqyteti jeton ndryshe nga 9 marsi 2020, dita kur koronavirusi u shfaq dhe vijon të përhapet me shpejtësi. Nga ajo ditë,Tirana numëron mbi 440 jetë të humbura. Intelektualë, mjekë, artistë por edhe njerëz të thjeshtë nuk kanë mundur të fitojnë betejën me Covid-19.

Bashkë me përpjekjet dhe luftën për të shpëtuar çdo jetë, në periferi të qytetit ka njerëz që përgatiten për të organizuar lamtumirën e fundit.

Në varrezat publike të Tufinës, varrmihësit dhe punonjësit e shërbimeve funerale janë duke luftuar me kohën për të qenë të përgatitur për një numër anormal vdekjesh që po përballen çdo ditë.

Sadik Merja ka një prej profesioneve më të vështira, atë të varrmihësit. Është krenar për punën që bën, por e mbështjell frika e infektimit për vete dhe familjarët.

“Kujdesi duhet i lartë, tensioni në familje është. Ekziston, të flasim atë që është. Se dhe familja do të ruhet, thotë që je gjithë ditën në kontakt me këta me korona.”

Kjo pandemi, ndryshoi traditën zakonore të nderimit të të vdekurit .

“Dominon sasia e pakët e njerëzve që i shoqërojnë funeralet që vijnë. Por ka dhe raste të shkëputura që vijnë edhe shumë njerëz. Ndoshta nuk u bën përshtypje. Ndoshta nga afrimiteti, apo shoqëria e miqësia që kanë. Por në përgjithësi dominon sasia e vogël e njerëzve, 5-6 vetë.”

Refreni i Institucioneve Shëndetësore vazhdon… shmangni grumbullimet ne ceremoni mortore, por forca e zakonit është më e forte se frika.

“Po vjen duke u krijuar ideja që në varreza nuk do shkohet më si dukur. Nëse vinin 200-300 veta për t’i shoqëruar, sidomos zonat periferike…Shikoj njerëzit që përveçse bëjnë varrimin u kërkojnë falje njerëzve që nuk mund të organizojnë as drekën që të mos ketë grumbullime.”

Kjo,është parcela që mirëpret frymët e vdekura në banesën e fundit për jetët e humbura të kryeqytetit. Mbi 30 varre qëndrojnë hapur, pasi numri në rritje i fataliteteve i bën varrmihësit të jenë në gatishmëri.

“Gjithë këto vdekje, në numër kaq të lartë, na bën përshtypje se njerëz jemi dhe ne, dhe keq na vjen. Ka disa raste të rralla që qajnë shumë, edhe ne prekemi. Goca e motra e të gjithë.”

Përgatitja e banesës së fundit për jetët e humbura nga Covid-19 ka specifika të veçanta.

“Varrimeve që janë me Covid, i kemi bërë më të thellë dhe pa pllaka, për arsye të virusit.”

2020 është vit i zi për shqiptarët, të cilët njësoj si mbarë bota, sytë dhe shpresën i kanë tek një injeksion që t’i japë fund makthit dhe tmerrit që prodhoi virusi. Abcnews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu