Rrezik për përhapje epidemie, nis groposja e kafshëve të djegura në Gramsh

0

Situata në njësinë Skënderbegas të Gramshit vijon të jetë e rënduar si pasojë e zjarrit që kalon nga fshati në fshat.

Ndërkohë, ekipet e Ministrisë së Bujqësisë po marrin masa për groposjen e kafshëve të ngordhura që janë djegur. Edhe pse është emergjencë nga zjarret, duhet ndërhyrë pikërisht në këto momente për të shmangur përhapjen e ndonjë epidemie.

39 banesa u shkrumbuan, sipërfaqe të mëdha me pyje e shkurre, por edhe dhjetëra bagëti që mbetën të rrethuara nga flakët. Në mesditë, flakët kanë hyrë në fshatin e tetë të kësaj njësie. Për shuarjen e tij po punojnë më shumë se 350 efektivë, të ndihmuar edhe nga ajri me helikopter.

Nisur nga situata e rënduar, kanë nisur edhe evakuimet e banorëve, por për zjarrfikësit beteja me ta ka qenë po aq e vështirë sa beteja që po zhvillojnë prej dy ditësh me zjarrin.

Përballë situatës emergjente, janë banorët ata që ngulin këmbë të qëndrojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre dhe në shumë raste janë larguar edhe me forcë.