Shkolla 9-vjeçare “Rilindja” e Kavajës u shpall fituese e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe

0

 

Shkolla 9-vjeçare “Rilindja” e Kavajës u shpall fituese e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në një aktivitet plot emocione dhe konkurrencë të fortë, u zhvillua Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe, me një finale që mblodhi së bashku nxënës, mësues, prindër, përfaqësues të institucioneve arsimore si dhe përfaqësues nga partnerët e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në këtë konkurs morën pjesë 11 mijë nxënës nga 930 shkolla shtetërore dhe private.

Në finale shkolla “Rilindja” u përball me shkollën 9-vjeçare “Jeronim de Rada” të Tiranës. Të dyja shkollat finaliste gjatë fazës gjysmëfinale kishin grumbulluar më shumë pikë.
Nxënësit nga të dyja shkollat dëshmuan aftësitë e tyre të larta në gjuhën shqipe, duke u përballur me njëri-tjetrin në një konkurrencë tepër të ngushtë deri në fund duke e mbajtur publikun në ankth.

Juria shpalli fituese shkollën “Rilindja” me vetëm 1 pikë diferencë, në vend të dytë u rendit shkolla “Jeronim de Rada”.

Për vendet e para u ndanë kupa, tableta, medalje dhe certifikata nderi, ndërsa 14 ekipet e tjera gjysmëfinaliste u nderuan me medalje dhe certifikata.

Gjatë gjithë procesit, përfshirë ndeshjet gjysmëfinale dhe finale, shkollat u vlerësuan nga një juri profesioniste që përfshinte figura të njohura të gjuhësisë dhe medias: Linda Mëniku, pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës; Aleksandër Çipa, gazetar dhe themelues i Unionit të Gazetarëve dhe Oriana Osmani, mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Tema e konkursit për këtë vit ishte “Gjuha shqipe si identitet kombëtar, kulturor dhe mjet komunikimi në epokën e teknologjisë”.

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për klasat e 9-ta organizohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe 2024. Gjithashtu ky vit shënon dhe një ngjarje me rëndësi historike, 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë.

Të dyja këto ngjarje kanë qenë në fokus të Konkursit të Gjuhës Shqipe. Konkursi u mbështet nga partnerët e MAS: Këshilli i Europës, British Council, UNICEF, Save the Children dhe World Vision, në bashkëpunim me RTSH.

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe do të kthehet në një traditë të përvitshme, me synim ruajtjen, nxitjen dhe promovimin e gjuhës sonë të bukur shqipe ndër breza.

Me këtë rast, Drejtori i Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP) Enver Biturku, ka shprehur vlerësime dhe mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit.

Ja postimi i tij në faqen zyrtare në Facebook:

Krenar pafund!

Shkolla 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë është shpallur fituese e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe për klasat e 9-ta.

Ky konkurs ishte një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe u zhvillua në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e vlerësimit të njohurive dhe aftësive të nxënësve në gjuhën shqipe, por edhe kontributin ndaj kultivimit të një brezi të ri të përkushtuar ndaj identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore.

Ky çmim më bën të jem sa krenar për talentet që qyteti i Kavajës po prodhon, sa krenar për mësuesit e përkushtuar e të palodhur për të skalitur te nxënësit e tyre njohuri dhe vlera, po aq dhe të ndërgjegjshëm për punën e vazhdueshme që të gjithë ne duhet të bëjmë për të mbështetur talentet dhe aftësitë e fëmijëve të Kavajës.

#ArsimiNëKavajë #NxënësitNëFokus #NdërtojëTëArdhmen

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu