Janari dhe shkurti të një viti më parë ishin dy muaj të qetë në gjithë globin dhe askush nuk do të mund ta parashikonte stuhinë që do të vinte më pas.
Nga të dhënat rezulton se Shqipëria, e cila zgjodhi të zbatojë kufizime të rrepta vetëm në mars-maj ka përjetuar valën më fatale të pandemisë, me një rritje të numrit të vdekjeve me 38% për mars-dhjetor 2020, krahasuar me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019, pasi janari dhe shkurti kishin shënuar tendencë rënëse. Sipas INSTAT dhe Eurostat, për periudhën në fjalë (përjashtuar janarin dhe shkurtin) janë regjistruar rreth 6 mijë jetë të humbura më shumë.
Shqipëria ka një diferencë rreth 30% më të lartë për shtesën e vdekshmërisë në periudhën e pandemisë me të gjithë shtetet e tjera të Europës (vetëm të dhënat për Bosnjë Hercegovinën nuk janë ende të disponueshme).
Shteti i dytë pas nesh, me rritjen më të lartë të fataliteteve për periudhën pandemike është Maqedonia , me +29%, e ndjekur nga Spanja (+27.2), Polonia (27.1%), Sllovenia (+26.4%), Belgjika (24.5%), Italia (24.4%), Çekia (23.8%), Bullgaria (23%), Rumani (21.5%), Zvicër (21.3%), Maltë (20.6%), Kosovë (20.4%, e krahasuar vetëm me vitin 2019). Për shtetet e tjera rritja ka qenë më e ulët se 20%, ndërsa pandeminë pothuajse nuk e kanë vuajtur fare Islanda (1.5%) dhe Norvegjia (2.7%).
Karantina e ashpër, që në pothuajse gjithë Europën zgjati mes marsit dhe majit e frenoi disi valën e parë të pandemisë. Në Itali, psh, pas rritjes së fataliteteve dhe në prill me 40%, maji deri në shtator ishin të qetë, me rritje të ulët mes 3-6%, madje në qershor treguesi ra me 0.75 me bazë vjetore, sipas ISTAT.