Shqipëria më dobët në rajon, Banka Botërore: Të rritet mbështetja ndaj fermerëve

0

Shqipëria është e fundit në rajon për mbështetjen ndaj fermerëve.

Në raportin e saj më të fundit, Banka Botërore ka bërë thirrje që të rritet mbështetja ndaj tyre, sidomos pasi lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve kanë kthyer vëmendjen nga bujqësia.

“Kriza e krijuar i përkeqësoi stimujt për fermerët, të cilët janë baza e sigurisë afatgjatë për prodhimin e ushqimit. Të gjitha qeveritë në Ballkan gjatë krizës së çmimeve vitin e fundit u përqendruan në uljen e inflacionit për të gjithë konsumatorët përmes kontrollit të çmimeve të ushqimeve.

Mali i Zi aplikoi ulje të taksave, Maqedonia e Veriut, ulje të taksave dhe kufizim të eksportit, Serbia reduktim të tarifave të eksportit, ndërsa Shqipëria synon kontroll të çmimeve me borde qeveritare.

Shumica e masave në Rajon synuan mbështetjen ndaj të varfërve, ndërkohë që qeveritë përkeqësuan stimujt afatgjatë për fermerët, duke ulur kështu potencialin e rritjes së bujqësisë dhe duke ndikuar në rritjen afatgjatë të çmimeve të ushqimeve”, thekson BB në raport.

Në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, BB-ja vëren se Shqipëria i mbështet me vetëm 0.3 për qind të PBB-së.

Mbështetja e sektorit bujqësor si pjesë e PBB-së në Ballkanin Perëndimor (0.3 deri në 1.3 për qind) është përgjithësisht më e lartë se ajo në BE (0.4 për qind).

Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova ofruan fonde shtesë të konsiderueshme për fermerët, mesatarisht 0.33 për qind të PBB-së.

Më tej raporti parashikon se lufta, ndryshimet klimatike dhe kostoja e inputeve mund t’i mbajnë çmimet e ushqimeve të larta në vijimësi.

“Vazhdimi i luftës në Ukrainë mund të krijojë një hendek eksporti prej 35 milionë tonësh drithëra dhe fara vajore në vitin e marketingut, teksa fenomeni i motit ‘El Nino’ mund të shkaktojë thatësira në Azinë Jugore dhe Juglindore dhe ‘Afrikë’”, vëren ai.

Përveç Bankës Botërore, edhe një raport i mëhershëm i FAO-s ka theksuar mbështetjen tepër të dobët të Shqipërisë ndaj fermerëve.

Vendet e Ballkanit Perëndimor mesatarisht u dhanë fermerëve të tyre rreth 54 euro për hektar, ndërsa në Shqipëri, kjo shifër ishte 18 herë më pak, me vetëm 3 euro.

“Shteti nuk ofron asistencë të mjaftueshme për fermerët, për të përballuar konkurrencën në treg, për të parandaluar shpopullimin rural, apo për të rritur produktivitetin. Si i tillë, vendi duhet të rrisë urgjentisht financimin e drejtpërdrejtë dhe të përmirësojë funksionimin e institucioneve, në mënyrë që fondet të absorbohen siç duhet”, tha raporti referuar këtij niveli financimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu