Shtrëngimi i masave anti-Covid, Manastirliu: “Shumë shkolla në qytete do të kalojnë online”

0

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë me dije masat e reja shtrënguese që do të jenë prezente në vendin tonë për dy javët e ardhshme.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të rritet orari i ndalimit të aktiviteteve, duke e spostuar orën policore nga ora 22:00 në 20:00 të mbrëmjes. Në shumë qytete ku ka raste më të mëdha të infektimeve, mësimi për shkollat e mesme do të jetë tërësisht online.

Manastirliu:

Përshëndetje të gjithëve unë jam këtu sot së bashku me një pjesë të Komiteti Teknik i Ekspertëve pas masave të marra nga ana e tyre. Do të doja të sillja në vëmendjen tuaj se sot jemi në një moment sa delikat po aq edhe të rëndësishëm. Jemin në një situatë që me gjasë edhe prej mutacioneve të reja kemi një shtim të shifrave, kemi një ulje të moshës së të prekurve, edhe si rjedhojë e relaksimit të sjelljes pas festave të fundvitit.

Kjo ka sjellë edhe një shtim të misioneve të Urgjencës Kombëtare, dhe rritjen e numrit të personave të shtruar në spitale. Komiteti po ndjek me dinamikë të gjithë treguesit epidemiologjik, dhe nga impakti që kanë pasur masat më herët ka vendosur:

– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.

– Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu