Sikur të isha bangladeshas

0

Nga Anisa Bahiti

Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se meqë shqiptarët janë dembela, në të ardhmen të rinjtë punonjës do t’i marrë nga Bangladeshi.

Ah sikur të isha bangladeshas ose bangladeshase! Do të isha njeri i lumtur, do më hapeshin dyert e parajsës. Do jetoja në një vend ku shëndetesia është falas, por do paguash nën dorë gjithçka. Do jetoja në një vend ku ka 4 spitale Covidi, por të gjithë të pasurit shkojnë në spitale private me 3 mijë euro nata ose jashtë Shqiperisë. Do jetoja në një vend ku në hartë ka kudo hekurudha, por në fakt nuk ka asnjë tren që lëviz, as nën tokë e as mbi tokë. Jo si në Bangladesh që na i ka bërë Britania e Madhe trenat 2 shekuj më parë.

Sikur të isha bangladeshas, do vija në Shqipëri nëpërmjet aeroportit të Kukësit, Vlorës dhe atij të Korçës në çdo moment, sepse i kam parë në 3D, janë shumë të bukur e të veçantë. Sikur të isha bangaldeshas, do shkoja të punoja në Korçë me 8 mijë euro në muaj e jo në Londer si një mjeran. Sikur të isha bangladeshas, në Shqipëri do isha vaksinuar që vitin e kaluar, kur u vaksinua qeveria në Dubai e pastaj drekoi në një darkë dhuratë, nga një faqezi turk me emrin Nusret.

Sikur të isha bangladeshas, do i shaja të gjithë ata shqiptarë që lënë vendin e mrekullive për të emigruar nëpër Evrope. Sikur të isha bangladeshas, nuk do kisha lënë stallë lopësh pa bërë spital e lopë pa vaksinuar. Sikur të isha bangladeshas, në Shqiperi do kisha hyrë çdo vit në BE, por vetëm në 3D ama. Sikur të isha bangladeshas ose bangladeshase në Shqipëri, dihet se për kë do kisha votuar, nuk ka nevoje për koment.

Po ja që nuk jam as bangladeshas as bangladeshase!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here