Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino shprehet se qytetarët duhet të marrin të dyja dozat e vaksinës, pasi studimet kanë treguar efektivitet ndaj variantit Delta të koronavirusit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bino ka cituar një studimin e Agjencisë të Shëndetit publik në Angli që vlerëson efektshmërinë e vaksinës për variantin Delta të koronavirusit, që vlerësohet si i rrezikshëm.
“Studimi më i fundit i Agjencisë të Shëndetit publik në Angli, akoma jo i certifikuar për per review, tregon për herë të parë se 2 doza të vaksinave ndaj COVID-19 janë mjaft efektive ndaj hospitalizimeve nga varianti Delta (B.1617.2). Pritet që ky efekt te jete i lartë edhe ndaj vdekshmërisë. Analiza tregon se ky efektivitet i vaksinave është i krahasueshëm me atë ndaj variantit Alpha”, shkruan Bino.
Çfarë është varianti Delta?
Varianti Delta i koronavirusit është shfaqur për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020 dhe që atëherë është përhapur në më shumë se 80 vende të botës. Organizata Botërore e Shëndetësisë, e ka cilësuar këtë variant me nivel transmetueshmëri më të madhe, ndërsa shkencëtarët janë duke studiuar arsyet e kësaj. Por, sipas OBSH-së, nuk ka ende të dhëna që tregojnë se Delta është më vdekjeprurëse se variantet e tjera. Studiuesit thonë se simptomat më të zakonshme që lidhen me variantin Delta janë: dhimbja e kokës, dhimbja e fytit dhe rrjedhja nga hunda.