Situata e Zjarreve në Qarkun e Elbasanit mjaft e qetë këtë fillim javë

0

Deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, strukturat e emergjencave civile në të shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan raportojnë se nuk ka pasur njoftime për vatra të reja zjarri. Kjo përbën një zhvillim pozitiv pas një fundjave me përballje intensive me zjarre në disa zona malore të qarkut.Bashkia Librazhd vazhdon të mbetet në vëmendje, pasi dy vatra zjarri të nisura ditën e diel janë ende aktive, megjithëse të izoluara dhe nën kontroll. Këto ndodhen në fshatrat Gurakuq, në Njësinë Administrative Orenjë, dhe në fshatin Kostenjë, në Njësinë Administrative Lunik. Ekipet zjarrfikëse dhe shërbimet e emergjencës civile janë në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën për të parandaluar riaktivizimin e mundshëm të flakëve, veçanërisht për shkak të erërave të lehta që mund të favorizojnë përhapjen.Një tjetër vatër problematike është ajo në zonën e Dritasit në Shmil të Elbasanit e cila, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për shuarje, nuk është neutralizuar plotësisht. Autoritetet mbeten të angazhuara për ta vënë nën kontroll të plotë këtë vatër brenda orëve në vijim.Gjendja në pjesën tjetër të qarkut, që përfshin bashkitë Elbasan, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, dhe Prrenjas, është aktualisht e qetë. Nuk raportohet për ndonjë zjarr aktiv apo shqetësim që mund të kërcënojë zonat pyjore apo banorët.Emergjencat civile vijojnë të mbajnë kontakt të përhershëm me strukturat vendore dhe janë në gadishmëri të plotë për çdo situatë të mundshme. Ndërkohë, u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht në zonat pyjore dhe ato malore, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre të qëllimshme ose të pakujdesshme.Autoritetet pritet që të gjatë ditës së sotme në varësi të zhvillimeve në terren të japin informacionet mé të fundit .