Sllovenia është e gatshme ta shtojë numrin e trupave të vet në misionin paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, thanë të enjten sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, dhe kryeministri slloven Robert Golob.
Duke folur gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Bruksel, Stoltenberg e lavdëroi Slloveninë për rolin e saj në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor gjatë dy dekadave prej se ajo u bë anëtare e NATO-s, shkruan REL.
“Sllovenia për shumë vite ka kontribuuar me ushtarët dhe forcat e saj në misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, dhe ne e mirëpresim njoftimin e kryeministrit Golob për gatishmërinë për ta rritur edhe më shumë kontributin slloven në misionin tonë, KFOR”, tha Stoltenberg.
Golob ka thënë se misioni i KFOR-it është mbase “tregimi më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i bashkëpunimit brenda NATO-s, për mënyrën se si të stabilizohet rajoni.”