Sot nis viti i ri akademik! Pedagogët bojkotojnë mësimin, thirrja: Studentët të na bashkohen

0

TIRANË- Pedagogët do bojkotojnë nisjen e vitit të ri akademik. Prej më shumë se 3 javësh, pedagogët kanë dalë në 3 protesta, duke paralajmëruar se nëse Qeveria nuk përmbush kërkesat e tyre, nuk do të nisin vitin e ri akademik. Sot, ata do të nisin bojkotin. Tubimi i tyre nis prej orës 08:00 deri në orën 10:00 para Universitetit të Arteve, ndërsa pedagogët kanë mirëpritur edhe studentët e vitit të parë që kanë nisur protestën. Ata kërkojnë nga qeveria plotësimin e 9 kërkesave dhe presin që protestës së tyre t’i bashkohen edhe studentët.

I vetmi Universitet që nuk do t’i bashkohet kërkesës së pedagogëve është ai i Mjekësisë. Rektori, Arben Gjata ka deklaruar ditë më parë se universiteti do të nisë procesin mësimor duke u distancuar nga protesta e pedagogëve.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, iu drejtua ditën e djeshme studentëve dhe pedagogëve me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, duke iu rikujtuar se mbështetja e qeverisë edhe për ta do të vijojë pa u ndalur.

Çfarë kërkojnë pedagogët?

-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës (nuk është plotësuar)
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor (nuk është plotësuar)
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’ (nuk është plotësuar)
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë (nuk është plotësuar)
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare (do shqyrtohet)
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit. (do shqyrtohet)
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare (do shqyrtohet)
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”. (do shqyrtohet)
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike. (është rënë dakord)

Sot, rreth 120 mijë studentë priten të nisin vitin e ri akademik 2022-2023, në të dyja ciklet e studimit Bachelor dhe Master. Universiteti i Tiranës ka numrin më të madh të studentëve nga institucionet publiku, me rreth 27% të totalit. I dyti është Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, me 20% të totalit.

Ky vit akademik përkon edhe me protestën e stafeve akademike për rritje të pagave. Ata kërkojnë rritjen e pagës me 30% këtë vit si dhe 20% vitin tjetër si dhe mbështetje financiare për kërkimet shkencore. Qeveria më parë ka propozuar një rritje me 15% ku 7% i mbulon qeveria dhe 8% universitetet, por kjo kundërshtohet nga ata pasi sipas tyre universitetet nuk kanë buxhet për këtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu