SPAK- fillon hetimet për biznesmenin Pëllumb Salillari/ ish-ministrin Blendi Klosi dhe kryebashkiaku Kreshnik Hajdarit: Akuzohen për “Shpërdorim detyre”

0

 

Prokruoria Speciale SPAK, nis hetimet për biznesmenin Pëllumb Salillari, ish-ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe kryebashkiakun socialist të Kuçovës Kreshnik Hajdari. Dy zyrtarët e lartë dhe biznesmeni i ndërtimit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, nëpërmjet një shkrese thekson se qysh prej datës 12 korrik 2021, kanë nisur hetimet dhe është regjistruar procedim penal për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi banorët e Sinecit kanë bërë padi për ndërtimin e një ujësjellësi në kanionin e kësaj zone.

Ky procedim është iniciuar pas kallëzimit të bërë në 3 korrik 2021 nga banorët e fshatit Lumas të Kuçovës, të cilët kundërshtojnë nëpërmjet protestave dhe rrugës ligjore, ndërtimin e një ujësjellësi që shkatërron burimin e ujit në kanionin e Sinecit, raporton Infoweb.

Kraja ka thënë se ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe se tashmë kanë nisur nga prokurori verifikimet e plota dhe të gjithanshme.

Sipas 123 banorët e fshatit Lumas, kryetari i Bashkisë Kuçovë Kreshnik Hajdari, ka miratuar lejen e ndërtimit të një ujësjellësi në kanionin e lumit Sinec, që sipas tyre është zonë e mbrojtur dhe shpallur Monument Natyre me vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2002, për shpalljen si zonë e mbrojtur dhe Monument Natyre.

“Bashkia Kuçovë nëpërmjet kryetarit të bashkisë Kreshnik Hajdari, ka nxjerrë një leje ndërtimi dhe pikërisht leja Infrastrukture e datës Tetor 2020, e cila do të ndërtohet në Kanionin e Lumit Sinec,e cila është zonë e Mbrojtur dhe shpallur Monument Natyre”, thuhet në padinë penale.

Sipas denoncimit, ndërtimi i Ujësjellësit kalon limitet pasi parashikon 4 Ujësjellësa për të cilët kjo zonë nuk ka nevojë për ujë ashtu siç pretendon Bashkia që ka konkluduar në dhënien e lejes së ndërtimit.

Banorët e zonës protestojnë kundër ndërtimit të Ujësjellësit me argumentin se tenderi i bashkisë së Kuçovës me vlerë 361 milion lekë të reja, është një aferë korruptive e kryebashkiakut Hajdari.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu