Tetë autoambulanca presin në radhë që pacientët që janë brenda tyre të shtrohen në spitalin Infektiv, ndërkohë që familjarët qëndrojnë jashtë kangjellave duke pritur një lajm për të afërmit e tyre.
Një familjare është shprehur për mediat se ka të tjerë që presin më shumë se 6 orë ndërsa i kërkon ministres të vërë dorën në zemër për ta.
“Kam vëllain e burrit. Bëmë një vizitë te dispanseria dje dhe na thanë se ka ftohje. E thirrën dje këta të urgjencës dhe thanë sille të vijë në spital. E sollëm dhe ka dy tre orë në autoambulancë. Desha të bëj thirrje për ministren që të vejë dorën në zemër sepse jemi njerëz të thjeshtë dhe prapë shesim shtëpitë për të shpëtuar jetën.
Ai është 69 vjeç nuk ka sëmundje të tjera. Ne për të mirë e sollëm këtu jo për ta lënë si qen aty. Ka të tjerë që kanë edhe 6 orë që rrinë aty me autoambulanca janë gjynah”, shprehet ajo.