“Ta kalova president”, Kryemadhi dhe Meta hyjnë veçmas në qendrën e votimit, kreu i shtetit harron kartën

0

Presidenti i vendit Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi kanë votuar pranë kopshtit botanik, në një distancë kohore të shkurtër. Kryemadhi ishte ajo që votoi e para dhe nuk mungoi as batuta për Metën ”ta kalova president”.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nuk pranoi që të bënte asnjë koment për mediat, dhe u largua duke iu uruar një ditë të qetë dhe pa probleme komisionerëve.

Teksa hodhi votën, që sipas tij do të mbronte kushtetutën dhe Republikën, Meta harroi kartën e ID-së, e cila iu dha nga punonjësit e qendrës së votimit.

Sot qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen qendrave të votimit, për të zgjedhur partinë dhe kandidatin e tyre të preferuar, në listat e qarqeve, që dëshirojnë që ti përfaqësojnë në Kuvendin e 4 viteve të ardhshme.

Në Shqipëri janë 3,588,869 shtetas me të drejtë vote, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre janë emigrantë, të cilët edhe në këto zgjedhje nuk kanë të drejtën e votës në vendin ku punojnë dhe jetojnë.

Këto janë zgjedhjet e 10 parlamentare që mbahen në vendin tonë, që nga nisja e pluralizmit politik, ku njihen vetëm 2 raste të zgjedhjeve të parakohshme, ato që janë mbajtur në vitin 1992 dhe 1997.

Ndërkohë 7 procese normale zgjedhore janë (1991, 1996, 2001, 2005, 2009, 2013 dhe 2017). Vetëm zgjedhjet e vitit 1991 kanë qenë në mazhoritar. Zgjedhjet 1992-2005 janë zhvilluar me një sistem miks, 100 (115) zona në mazhoritar dhe 40 (25) mandate në proporcional.

Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 u vendos kalimi në sistemin proporcional rajonal, me lista të mbyllura dhe me prag minimal zgjedhor 3%. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2020 u vendos ulja e pragut elektoral në 1% dhe aplikimi për herë të parë i listave të hapura proporcionale.

Numri i deputetëve ka ndryshuar vetëm në dy raste: më 1991 u ruajt numri i deputetëve i legjislaturave të fundit të periudhës komuniste (250 deputetë), si dhe më 1997 u ruajt sistemi i vitit 1996 me rritjen e numrit të deputetëve në proporcional nga 25 në 40 vende, për pasojë, parlamenti kishte 155 deputetë.

Prej ’96 numri i ulëseve në Kuvend është 140, ndërkohë që në këtë vit janë 12 parti dhe koalicione që garojnë në 12 qarqe të vendit, dhe në vetëm 4 prej tyre garojnë si të pavarur kandidatët që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes, dhe Elton Debreshi, që vjen nga radhët e minatorëve dhe kandidon në qarkun e Dibrës.

Nëse kthehemi pas në kohë pjesëmarrja në zgjedhje ka ndryshuar mjaft, në krahasim me vitet e para të demokracisë. Në zgjedhjet e viteve 1991-1992, kur shteti kishte të dhëna të sakta të numrit të qytetarëve me të drejtë vote, janë regjistruar edhe shifrat më të vogla të numrit të zgjedhësve në listë dhe përqindjet më të larta të pjesëmarrjes në votime.

Gjatë viteve raportet janë përmbysur. Në zgjedhjet e fundit parlamentare më 2017 pjesëmarrja në zgjedhje ishte 46,76%. Nga mbi 3.4 milionë qytetarë të regjistruar në listën e zgjedhësve votuan 1.613.810 zgjedhës. Sipas INSTAT numri i popullsisë më 2017 ishte 2.876.591, shifër shumë më e vogël sesa numri 3.452.324 i zgjedhësve në listë.

Si vijnë forcat politike në këto zgjedhje

Partia Socialiste e Edi Ramës kërkon besimin e elektoratit për të marrë mandatin e tretë qeverisës, gjë e cila nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në këto 30 vite të tranzicionit shqiptar që një forcë politike të qeverisë më shumë se 8 vite.

Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama është akuzuar gjithnjë e më shumë për sjelljen e tij autokratike, në përplasje të vazhdueshme me mediat dhe opozitën, ndërkohë që vendi ende nuk ka të ndërtuara të gjitha organet e drejtësisë, që të mundësonin një balancim të pushteteve. Për 2 vite Kuvendi ishte i gjithi në dorë të socialistëve, pas vendimit të paprecedentë të opozitës për të djegur mandatin dhe pët tu rikthyer në Kuvend.

25 Prilli do të jetë një test më vete dhe për Lulzim Bashën, i cili në këtë fushatë ka zgjedhur që kostot ti marrë përsipër vetë të gjitha, pa asnjë kandidat që fliste në takimet me simpatizantët nga një shesh i qyteteve në një tjetër.

PD që ai drejton në këto zgjedhje në ndryshim nga Rama, që garon i vetëm, mori në koalicion me lista të përbashkëta të gjithë aletët e viteve të vështira në opozitë, duke iu garantuar krerëve të këtyre partive më të vogla, një vend të sigurt në listat shumëemërore.

Edhe pse me LSI kanë bërë një marrëveshje parazgjedhore, palët e kanë bërë të qartë, se nëse PD merr e vetme 71 mandate, atëherë nuk ka pse të kushtëzohet një marrëveshje pazgjedhore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu