Temperaturat në vendin tonë i kanë kaluar 40 gradët ditëve të fundit. Por kjo e premte shënoi temperatura edhe më përvëluese ku mes qyteteve të nxehta evidentohet Elbasani. Shumë qytetarë janë përpjekur të mbrohen disi nga dielli me syze, çadra, kapele por edhe të freskohen në shatërvanët që ndodhen në qendër të qytetit.
Fëmijët dhe të moshuarit janë grup-moshat më delikate ndaj të nxehtit. Por të moshuarit thonë se ndonëse përpiqen të mbrohen nga temperaturat e larta kushtet nuk ua mundësojnë të freskohen me kondicioner ndaj janë orjentuar drejt zgjedhjeve alternative.
Mjekët në kontakt me pacientët e tyre ripërsërisin apelin për të mos u ekspozuar në orët e pikut jashtë si dhe të tregohen të kujdesshëm me ushqimet dhe lëngjet që konsumojnë. Një kujdes të veçantë këshillojnë edhe në përdorimin e kondicionerit.
Sinoptikanët parashikojnë që vala e të nxehtit afrikan pritet të zgjasë për të paktën 3 javë në të gjithë vendin tonë, ndërsa ka prekur edhe vendet fqinje me ne.